Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, gjatë qëndrimit në Kosovë ka folur edhe për gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së nga Haga, raporton KosovaPress.
Spiropali tha se drejtësia duhet të jetë e paanshme dhe se ajo nuk mund të ecë me standarde të dyfishta. Kryediplomatja shqiptare nënvizoi se lufta e Kosovës nuk ishte luftë për pushtet dhe se viktima dhe agresori nuk mund të vendosen në të njëjtën pozitë.
“Sot në Hagë përballen me drejtësinë udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Emrat e tyre janë të njohur për çdo qytetar të Kosovës. Ata janë figura që përfaqësojnë një kapitull të caktuar të historisë sonë të rezistencës. Ne nuk ndërhyjmë në proces dhe nuk paragjykojmë asnjë vendim gjyqësor, por kemi detyrimin moral dhe historik të themi qartë se drejtësia duhet të jetë drejtësi e plotë, pa shkelje të standardeve ndërkombëtare ligjore, pa shkelje të të drejtave të njeriut dhe jo drejtësi e pjesshme. Ajo nuk mund të shkëputet nga konteksti i një lufte çlirimtare të një populli të tërë. Nuk mund të injorojë faktin se në Kosovë ka pasur agresion shtetëror, spastrim etnik dhe krime masive ndaj popullsisë civile shqiptare. Asnjë proces gjyqësor nuk duhet të krijojë perceptimin se historia po rishkruhet në mënyrë të pabalancuar”, tha ajo.
E pyetur se kush ka kontribuar më shumë për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë, ajo tha se nuk janë në garë.Më 9 shkurt të këtij viti, në Dhomat e Specializuara ka nisur paraqitja e fjalës përmbyllëse në rastin e ish-krerëve të UÇK-së.
Kjo shënon fazën përfundimtare të procesit më të madh gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly Ëest, ka kërkuar dënim me burgim prej 45 vitesh për secilin nga ish-krerët e UÇK-së.
Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023 – gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës, prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë. /KosovaPress/