Rikthehen nën kontroll të INFRAKOS-it pronat hekurudhore në veri, largohen strukturat ilegale serbe
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Rikthehen nën kontroll të INFRAKOS-it pronat hekurudhore në veri, largohen strukturat ilegale serbe
Zyrtarët shtetërore në detyrë, ministri i Brendshëm Xhelal Svecla, Artane Rizvanolli dhe Dimal Basha kanë qëndruar sot në Zveçan.
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se nga sot janë rikthyer nën menaxhim të plotë të Ndërmarrjes Publike INFRAKOS të gjitha objektet dhe pronat publike hekurudhore në pjesën veriore të Kosovës, të cilat deri tani ishin të uzurpuara nga strukturat ilegale paralele serbe.
Sipas njoftimit, aksioni është realizuar në koordinim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Ekonomisë dhe N.P. INFRAKOS, ndërsa është vlerësuar si hap i rëndësishëm në forcimin e rendit institucional dhe shtrirjen e autoritetit shtetëror në veri të vendit.
Nga ministria është bërë e ditur se rikthimi i këtyre pronave pritet të ndikojë edhe në përshpejtimin e rehabilitimit dhe modernizimit të infrastrukturës hekurudhore në atë pjesë të Kosovës.
Tutje thuhet se segmenti hekurudhor në veri konsiderohet pjesë strategjike e Koridorit X, i cili lidh Kosovën me rrjetet rajonale dhe ndërkombëtare të transportit, duke rritur potencialin ekonomik dhe integrimin infrastrukturor të vendit.
“Segmenti hekurudhor në veri është pjesë strategjike e Koridorit X, që lidh Kosovën me rrjetet rajonale dhe ndërkombëtare të transportit, duke rritur potencialin ekonomik dhe integrimin infrastrukturor të vendit. Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, me mbështetjen e Kryeministrit, mbetet e përkushtuar për zbatimin e ligjshmërisë, rikthimin e pronës publike nën kontroll institucional dhe zhvillimin e infrastrukturës moderne në çdo cep të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.