SPAK godet grupin kriminal për trafik heroine në Shqipëri dhe Danimarkë, dy të arrestuar
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
SPAK godet grupin kriminal për trafik heroine në Shqipëri dhe Danimarkë, dy të arrestuar
Spakl1234
15/05/2026 - 22:43
Linku u kopjua

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kërkoi në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë caktimin e masave të sigurimit ndaj dy shtetasve M. L., (alias G.,) dhe E. L, në kuadër të procedimit të vitit 2024, për veprat penale, “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal” dhe “Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e pjesëmarrjes,.

GJKKO vendosi caktimin e masës të sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në burg” për shtetasin M. L., (alias G.), si dhe “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit” për shtetasin E. L.

Hetimet lidhur me këtë procedim penal u realizuan në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet e drejtësisë daneze dhe Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH).

Autoritetet daneze, në muajin gusht të vitit 2023 kanë regjistruar procedimin penal “Operacioni Bacchus”. Në hetim ishte një grup shtetasish shqiptarë dhe të huaj, të cilët në kuadër të grupit të strukturuar kriminal kanë zhvilluar aktivitetin kriminal të trafikimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike të llojit heroinë në Mbretërinë e Danimarkës.

Kjo veprimtari është shtrirë nga 1 tetor 2023 deri më 23 janar 2024, në 7 episode, gjatë të cilëve, anëtarët e grupit kriminal kanë importuar në Mbretërinë e Danimarkës heroinë  përmes shtetit kufitar të Suedisë. Lënda narkotike e trafikuar, përgatitej për shitje në tregun danez, e përzierë me lëndë të tjera si paracetamol dhe kafeinë, me qëllim maksimizimin e fitimeve.

Nga hetimet paralele të kryera nga prokuroritë e dy vendeve, deri në këto momente është bërë e mundur identifikimi, procedimi në Danimarkë i 3 personave (dy shtetas shqiptarë dhe një i huaj), ndërsa në Shqipëri është mundësuar identifikimi i dy shtetasve të tjerë shqiptarë, të cilët ishin të përfshirë në aktivitetin e paligjshëm kriminal në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ekzekutoi dje dy masat e sigurimit personal për të dy shtetasit në hetim.

Ndërkohë, hetimet vazhdojnë për administrimin e provave lidhur me implikimin e personave të tjerë, të cilët dyshohet se janë përfshirë në këto veprimtari të paligjshme kriminale.

Prokuroria e Posaçme falënderon autoritetet e drejtësisë daneze si dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për mbështetjen e treguar.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026