Një skandal i madh ka tronditur Kishën Ortodokse Serbe, pasi mediat investigative në Bosnje kanë publikuar pretendime se si episkopët serbë janë filmuar fshehurazi gjatë Kuvendit kishtar ku në vitin 2021 u zgjodh patriarku Porfirije.
Sipas raportimit të CIN.ba, transmeton nova, kamera të fshehta ishin vendosur në kriptën e Hramit të Shën Savës, aty ku u mbajt mbledhja sekrete e Sinodit të Kishës, përcjell KosovaPress. Regjistrimi i mbledhjes ishte i ndaluar rreptësishtë dhe pjesëmarrësve u ishte garantuar privatësi e plotë gjatë votimit.
Gazetarët shkruajnë se kamerat u fshehën brenda sistemit të altoparlantëve në kriptë dhe mund të regjistronin tavolinat ku qëndronin episkopët gjatë votimit. Komunikimet e siguruara nga aplikacioni Sky ECC tregojnë biseda mes Ecimit dhe pronarit të kompanisë së sigurisë “Sion Company” nga Beogradi për mënyrën e instalimit të pajisjeve të fshehta.
Sipas dokumenteve të publikuara, raportohet se, kompania kishte marrë kontrata nga Patriarkana Serbe për sistemin e mbikëqyrjes dhe mirëmbajtjen teknike të kamerave në tempull. Bëhet e ditur se një prej marrëveshjeve, e nënshkruar para Kuvendit kishtar, parashikonte pagesa mujore prej mbi 13 mijë eurosh për mirëmbajtjen e sistemit të vëzhgimit për një periudhë 10-vjeçare.