Shembja e një pjese të rrugës “Don Shtjefën Kurti” në Prishtinë ka shkaktuar dëmtime në infrastrukturën energjetike, e cila ka prekur rrjetin transmetues në nivelin 110 kV.
Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu-KOSTT bën të ditur se, si pasojë e shembjes së dheut në rrugën “Don Shtjefën Kurti” në Prishtinë dhe dëmtimeve të shkaktuara në infrastrukturë, është prekur edhe rrjeti transmetues në nivelin 110 kV, raporton KosovaPress.
“Ekipet e KOSTT-it, në koordinim me KEDS, janë në terren dhe po punojnë intensivisht për sanimin e dëmeve dhe rikthimin sa më të shpejtë të furnizimit me energji elektrike”, thuhet në njoftim.
KOSTT kërkon mirëkuptim nga qytetarët e afektuar.Lidhur me ndalimin e rrymës, nuk ka pasur njoftim paraprak nga institucionet përgjegjëse për furnizim me energji elektrike, në këtë rast KEDS.
KosovaPress nuk ka marrë përgjigje nga KEDS deri në momentin e publikimit të këtij lajmi lidhur me ankesat e qytetarëve.