Tre persona, përfshirë një vajzë 10-muajshe, vdiqën, të dielën, në veri të Gjermanisë, kur një lis i gjatë rreth 30 metra, i cili u rrëzua si pasojë e erërave të forta, ra mbi ta, gjatë një aktiviteti për kërkimin e vezëve të Pashkëve, tha policia e këtij shteti.
Në këtë ngjarje, që u organizua për nëna të reja, gra shtatzëna dhe fëmijë, pranë qytetit Satrupholm, po merrnin pjesë rreth 50 persona nga një qendër banimi pranë.
Në pamjet e shfaqura nga televizioni RTL duket disa vezë të Pashkëve dhe një shportë e bërë me dorë, të shpërndara në tokë.
Kryetarja e komunës së Mittelangeln, nën juridiksionin e së cilës bie edhe Satrupholm, Britta Lang, tha se ngjarja që ndodhi e la “pa fjalë”.Edhe zyrtarë qeveritarë nga rajoni Schleswig-Holstein, ku ndodhet qendra, thanë se ishin “thellësisht të tronditur” nga aksidenti.
Shërbimi meteorologjik gjerman bëri të ditur se zona ku ndodhi tragjedia kishte qenë nën paralajmërim për erëra të forta.