Rreth 200 punëtorë të kompanisë “Besa Security” kanë mbetur pa kontrata pune si pasojë e mosmarrëveshjeve ndërmjet kompanisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Kështu thuhet në një njoftim të Federatës Sindikale të Punëtorëve të Sektorit Privat të Kosovës (FSPTSPK), ku bëhet e ditur se disa nga punëtorët janë ankuar për situatën e krijuar.
Federata e citon kompaninë “Besa Security” të ketë thënë se është kërkuar shkëputja e kontratës me arsyetimin se Ministria nuk po vepron në përputhje me obligimet kontraktuale, veçanërisht sa i përket zbatimit të vendimit të Kryeministrit për pagën minimale.
Ndërkohë, sipas njoftimit, kjo kompani i ka garantuar Sindikatës se, pavarësisht largimit nga objekti i MPB-së, do të angazhohet për sistemimin e të gjithë punëtorëve të prekur në vende të tjera pune brenda kompanisë.Kosovapress ka provuar të kontaktojë dhe të marrë një prononcim nga Ministria e Punëve të Brendshme lidhur me këto pretendime, por zyrtarët e saj nuk kanë qenë të qasshëm. Ndërkohë nga “Besa Security” i thanë agjencisë se për momentin nuk janë të gatshëm të flasin për telashet me MPB-në.