Gjatë ditës së sotme, ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti ka mbajtur një takim me përfaqësuesit e Shoqatës së Ndërtimit në Kosovë për të diskutuar për shqetësimet mbi sigurinë dhe shëndetin në punë në sektorin e ndërtimtarisë, raporton KosovaPress.
Kryetari i Shoqatës së Ndërtimit, Valon Vataj tha se në takim u diskutua për problemet aktuale dhe adresuan disa kërkesa për shëndetin dhe sigurinë në punë.
Vataj shtoi se edhe punëtorët duhet të bëhen pjesë e përgjegjësisë sa i përket sigurisë dhe sipas tij, nëse këto përgjegjësi nuk zbatohen është problem.
“Mirëpo sa i përket punës së zbatimit të tyre do të kenë përgjegjësi edhe punëtorët sigurisht, ata që janë pjesë e punës; në qoftë se ato nuk zbatohen atëherë është problem shumë. Njëkohësisht një shqetësim për neve si shoqatë është edhe puna e certifikimeve, në këtë rast edhe puna e trajnimeve për siguri në punë, e cila kohët e fundit po shihet si një lloj formaliteti”, shtoi ai.Ndërsa, Kastriot Jashari, u.d drejtori i Inspektoratit Qendror të Punës është shprehur se takimi ishte në frymë bashkëpunuese dhe u dakorduan për vazhdim të partneritetit.
“I gjithë takimi ishte në frymë të plotë konstruktive, natyrisht ata kanë shprehur gatishmërinë që të bashkëpunojmë me neve, secili në rolin e vet…Partneriteti ynë është i padiskutueshëm, që edhe nga ana e tyre edhe nga ana jonë secili jemi në rolin tonë, dhe do të bazhdojmë të bashkëpunojmë në kuptimin e kontributit tonë për sigurinë në plotë”, tha Jashari.