Tërmetet shkatërruese në Turqi kanë çrregulluar planet për zgjedhjet që do të mbahen në qershor, duke nxitur një debat të ashpër brenda Qeverisë së presidentit turk, Rexhep Tayyip Erdogan, dhe opozitës lidhur me mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve.
Edhe para se të ndodhte fatkeqësia natyrore – që ishte më vdekjeprurësja në historinë moderne të Turqisë – sondazhet kanë sugjeruar se do të ketë një garë të ngushtë në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, shkruan REL.
Tërmetet shkatërruese të 6 shkurtit kanë vrarë të paktën 32.000 persona në jug të Turqisë, kanë shkatërruar dhjetëra mijëra ndërtesa dhe kanë nxitur një eksod nga rajoni i prekur nga kjo fatkeqësi natyrore. Të gjitha këto kanë hedhur dyshime mbi mundësinë e organizimit të zgjedhjeve në një afat të shkurtër kohor.
Vështirësitë logjistike janë të konsiderueshme në rajonin e prekur nga tërmetet, që është shtëpi e 13 milionë banorëve, pasi qindra mijëra personave u janë dëmtuar shtëpitë, ose shtëpitë e tyre janë të pasigurta për banim.
Por, ditët e fundit, aleatët e tij kanë lënë të kuptohet se Erdogan do të kërkojë shtyrjen e organizimit të zgjedhjeve.
“Nuk mendoj se është koha për të folur për zgjedhje”, ka thënë një zyrtar i AKP-së, duke u thirrur në gjendjen e jashtëzakonshme që është shpallur për shkak të tërmeteve. “Duhet të ketë shtyrje”.
Një tjetër zyrtar tha javën e kaluar se shkalla e shkatërrimit nga tërmetet paraqet “sfida serioze” në mbajtjen e zgjedhjeve në kohë.
Çdo përpjekje për të shtyrë zgjedhjet përballet me pengesa kushtetuese: Neni 78 i Kushtetutës turke thotë se Parlamenti mund të shtyjë zgjedhjet për një vit, por vetëm të rast të ndonjë lufte.
“Zgjedhjet duhet të shtyhen menjëherë në mënyrë që burokracia shtetërore të mund të përqendrohet në ndihmën për qytetarët, që ata të mbyllin plagët. Kjo nuk është një zgjedhje, por është një nevojë”, tha Arinc.
Këto deklarata të ish-zëvendëskryeministrit turkm disa vëzhgues i kanë vlerësuar si një provë për të parë se cili është disponimi i publikut.
“Askush nuk mund të krijojë një normë ligjore vetë, duke shpikur justifikime përtej Kushtetutës dhe ligjeve. Ka një Kushtetutë. Nëse ata thonë ‘Turqia është shtet ligjor’, nuk duhet të ketë shtyrje”, tha ai në një intervistë për Yetkin Report.
Ai tha se prioritet është caktimi i një date për zgjedhje dhe që Bordi i Lartë Zgjedhor të nisë përgatitjet për zgjedhje.
Një zyrtar nga Partia IYI, që është pjesë e aleancës opozitare, tha se opozita do të diskutojë për çështjen e kandidatit për president në javët në vijim.
Sondazhet para tërmeteve sugjeronin se zgjedhjet do të ishin sfida më e rëndë zgjedhore e Erdoganit deri më tani, teksa popullariteti i tij ka rënë për shkak të rritjes së kostos së jetesës dhe rënies së vlerës të monedhës kombëtare, lirës.
Qeveria po përballet me kritika lidhur me përgjigjen e parë dhe me organizimin e përgjigjes emergjente dhe Erdogani ka thënë se përgjigja nuk ishte aq e shpejt sa do të dëshironte. Ai ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme për tre muaj në dhjetë provincat e prekura nga tërmetet.
Zyrtari i partisë AKP tha se pret që fatkeqësia të ndikojë që të ketë më pak vota për aleancën në pushtet, duke marrë parasysh dhimbjen dhe humbjen e jetës dhe të pronave të banorëve. “Ata do të duan të mbajnë dikë përgjegjës”, tha zyrtari.
Fatkeqësitë natyrore në të kaluarën kanë ndikuar në rezultatet zgjedhore.
Pas tërmetit të fuqishëm të vitit 1999, që la të vdekur 17.000 persona në veriperëndim të Turqisë, kritikat dhe përgjigja ndaj tragjedisë ishin faktorë që çuan në rrëzimin e Qeverisë së atëhershme – që paraprakisht kishte pasur mbështetje të madhe të publikut – gjë që ndihmoi në triumfin e AKP-së në zgjedhjet e vitit 2002.
Profesori i Kushtetutës, Ibrahim Kaboglu, zëdhënës i CHP-së në Komisionin Kushtetues, tha se Erdogan mund të lejohet të garojë në zgjedhje vetëm nëse votimet mbahen para qershorit.
Kushtetuta lejon dy mandate për presidentët, por ata mund të garojnë për një mandat të tretë nëse Parlamenti thërret zgjedhje të parakohshme para përfundimit të mandatit të dytë presidencial.
“Por, një ndryshim i tillë kushtetues do të ishte vetëm për një individ. Diskutimi për një ndryshim të tillë do të jetë problematik”, tha ai.