Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se ka nisur procesi i votimit në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës për qytetarët e regjistruar jashtë vendit, ndërsa deri në orën 09:00 kanë votuar 3,117 qytetarë apo 11.24% e 27,724 votuesve të regjistruar.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në konferencën për media bëri të ditur se votimi ka filluar fillimisht në ambasadën dhe konsullatën e Kosovës në Ankara dhe Stamboll, ndërsa më pas edhe në 24 përfaqësi të tjera diplomatike në Evropë.
Ai theksoi se procesi i votimit po zhvillohet në ambasada dhe konsullata të Kosovës në Gjermani, Zvicër, Mbretëri të Bashkuar, Francë, Belgjikë, Norvegji, Austri, Suedi, Slloveni, Danimarkë, Itali, Turqi, Kroaci, Holandë, Çeki, Hungari e SHBA.
Sipas Elezit, votimi në ambasadën e Kosovës në Uashington, konsullatën në Nju Jork, si dhe në ambasadën në Otava dhe konsullatën në Toronto, do të fillojë në orën 13:00 sipas kohës së Kosovës.Po ashtu, Elezi sqaroi se vetëm votuesit e regjistruar paraprakisht për votim fizik në përfaqësitë diplomatike mund të votojnë gjatë ditës së sotme.
“Duhet ta sqarojmë që vetëm votuesit e regjistruar në përfaqësitë diplomatike do të mund të votojnë sot, më datë 6 qershor, pasi në listën e votuesve e cila është dërguar në këto përfaqësi diplomatike janë vetëm emrat e shtetasve të Kosovës që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi kur janë regjistruar si votues jashtë Kosovës gjatë periudhë së regjistrimit nga 6 maji deri më 17 maj. Në faqen e KQZ-së, platformën elektronike diaspora.kqz-rks.org, votuesit e regjistruar mund ta verifikojnë statusin e tyre dhe të shohin qendrën e tyre se ku mund të votojnë”, deklaroi Elezi.
Ndërkaq, të dielën, më 7 qershor, qytetarët e Kosovës do t’u drejtohen kutive të votimit në procesin zgjedhor që do të zhvillohet në gjithë vendin. Qendrat e votimit do të hapen në orën 07:00.