Eugen Cakolli nga KDI thekson se pas shpërndarjes së Kuvendit me efekt kushtetues, Ushtruesja e Detyrës së Presidentit ka afat 10 ditë për të caktuar datën e zgjedhjeve, pas konsultimeve me partitë politike dhe KQZ-në.
Sipas tij, zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen brenda 45 ditëve, por jo më herët se 30 ditë nga shpërndarja e Kuvendit.
Ai ka theksuar se shpërndarja e Kuvendit prodhon disa pasoja institucionale, përfshirë përfundimin e mandatit të Qeverisë, e cila nga mesnata konsiderohet në dorëheqje dhe mund të kryejë vetëm punë të domosdoshme.
Cakolli ka shtuar se Qeveria nuk mund të propozojë projektligje të reja, strategji apo dokumente politike, të iniciojë emërime në pozita publike apo të ndërmarrë marrëveshje ndërkombëtare që kërkojnë ratifikim nga Kuvendi.“Deri në mbajtjen e zgjedhjeve dhe krijimin e institucioneve të reja – që do të marrë kohë të paktën tre-katër muaj – shteti do të jetë në pauzë”, ka përfunduar Cakolli.
Ndryshe, Kosova do të shkojë në zgjedhje të reja nacionale, diku në qershor, më së voni, pasi Kuvendi i Republikës nuk arriti ta zgjedhë presidentin e ri brenda afatit kushtetues, që përfundoi në minutën e fundit të 28 prillit.