Me rastin e shënimit të 637-vjetorit të Betejës së Kosovës, profesori Mentor Hasani dhe studentët e Departamentit të Historisë në Universitetin e Prishtinës, organizuan një aktivitet para Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, ku u prezantua një ilustrim i veçantë me titull “Një Betejë, shumë pikëpyetje”.
Beteja e Kosovës është zhvilluar në verën e vitit 1389, qershor. (15 qershor sipas kalendarit Julian (i vjetër, që përdorej në Perandorinë Serbe dhe më vonë në Kishën Ortodokse) korrespondon me 28 qershor sipas kalendarit Gregorian (i ri, që përdoret sot ndërkombëtarisht).
Profesori Mentor Hasani u shpreh se përmes këtij aktiviteti duanë të paraqesin fakte dhe argumente historike për mënyrën se si historiografia, Kisha dhe politika serbe e kanë interpretuar dhe instrumentalizuar Betejën e Kosovës ndër vite.
Profesori Mentor Hasani shtoi se përpjekjet për ta shndërruar Betejën e Kosovës në një simbol kombëtar filluan qysh në vitin 1889. Në atë kohë u synua organizimi i aktiviteteve përkujtimore, por dokumentet zyrtare osmane tregojnë se autoritetet e Perandorisë Osmane nuk e lejuan realizimin e tyre në formën e planifikuar. Në formën e tij moderne, miti u konsolidua gjatë shekullit XIX, sidomos përmes veprës “Kunora e Maleve” të Petar II Petroviq-Njegoshit.
Sipas tij, në vitin 1889, me rastin e 500-vjetorit të betejës, në Serbi nisi përpjekja për ta lidhur kujtesën e saj me Vidovdanin, një festë që u identifikua me tradita shumë më të hershme sllave. Kështu, Beteja e Kosovës u shndërrua gradualisht nga një ngjarje historike mesjetare në një nga mitet më të fuqishme politike të Ballkanit modern. Interpretimi i kësaj beteje si një simbol kombëtar serb u bë themeli i asaj që më vonë do të njihej si “Miti i Kosovës”, një narrativë që paraqet serbët si një popull me mision të veçantë historik. Një rol të rëndësishëm në konsolidimin e këtij miti luajti edhe tradita folklorike, veçanërisht rrëfimi i njohur si “Darka e Lazarit”, i ndërtuar sipas modelit të Darkës së Fundit të Krishtit.