Ka nisur sot mbledhja e nënshkrimeve për peticionin “Për një Ferizaj pa Urosevac”, një nismë qytetare që synon t’i drejtohet Kuvendit të Kosovës me kërkesën për shfuqizimin e përdorimit zyrtar të emrit “Urosevac” dhe përdorimin e vetëm të emrit “Ferizaj” në të gjitha dokumentet dhe komunikimet zyrtare të institucioneve.
Në ceremoninë e nisjes morën pjesë përfaqësues institucionalë, përfaqësues nga secili komunitet, të cilët bën edhe nënshkrimin e peticionit.
Ai shtoi se kjo nismë duhet të shërbejë edhe si shtysë për institucionet qendrore që të shqyrtojnë emërtimet e vendbanimeve në Kosovë.
“Është një drejtësi, sepse Ferizaj ka lindur 153 vjet më parë me emrin Ferizaj, ndërsa emri Urosevac është vendosur nga administrimi i dhunshëm pas vitit 1912… le të shërbejë ky peticion, le të shërbejë kjo nismë nga Ferizaj që institucionet e nivelit qendror të formojnë komisione profesionale, komisione të kësaj çështje në mënyrë që pastaj të vënë në diskutim dhe në vendimmarrje të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, deklaroi Aliu.Iniciatori i peticionit, Bashkim Fazliu, tha se peticioni synon largimin e emrit “Urosevac” nga përdorimi zyrtar, mirëpo që nuk është drejtuar kundër asnjë komuniteti.
Fazliu tha se presin të mbledhin të paktën 20 mijë nënshkrime brenda rreth dy javësh, ndërsa shtoi se afati mund të zgjatet në varësi të nënshkrimeve.
Kryetari i fshatit Pleshinë, Sabedin Mustafa, tha se nisma është e vonuar dhe se pret një numër të madh nënshkrimesh.
Ndërkaq, qytetari Ramadan Miftari u shpreh optimist se peticioni do të ketë sukses.
Sipas organizatorëve, pas përfundimit të procesit të mbledhjes së nënshkrimeve, peticioni do t’i dorëzohet Kuvendit të Kosovës për shqyrtim.