Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit në Shqipëri, ka organizuar një mbrëmje ku ka ftuar aktorët e kineastët që kanë punuar për realizimin e filmit “Koncert në vitin 1936”, i cili sapo ka përfunduar restaurimin.
Shfaqja e filmit të restauruar erdhi 44 vjet pas premierës së tij. Në sallën e AQSHF-së ishin të pranishëm një pjesë e aktorëve protagonistë: Margarita Xhepa, Manushaqe Qinami e Mirush Kabashi, si dhe emra të tjerë të njohur të kinematografisë shqiptare si Tinka Kurti etj.
Restaurimi digjital i filmit “Koncert në vitin 1936” dhe shfaqjet publike të tij, u mundësuan nga “Sezoni i Filmave Klasikë”, një nismë e ACE – Association des Cinémathèques Européennes, mbështetur nga Komisioni Europian.
Filmi është vepër e regjisorit Saimir Kumbaro, me skenar të Kiço Blushit e Dhimitër Shuteriqit dhe muzikë të Limos Dizdarit. Operator i filmit ka qenë Saim Kokona ndërsa piktor i filmit, Astrit Tota.