Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj Arjeta Roshajt, e dyshuar për vrasjen e F.H., në Ferizaj. Sipas vendimi të Gjykatës, e dyshuara para hetuesve policorë ka deklaruar se nga tani i ndjeri paraprakisht kishte pranuar kërcënime përmes rrjetit social Snapchat, i cili ndër të tjera i kishte thënë “më prit se tani do të vij të vras ty edhe familjen tënde” dhe se kur kishte arritur në banesë e kishte rrahur.
Sipas vendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, mbrojtësi i të dyshuarës Roshaj, i caktuar sipas detyrës zyrtare, Genc Kadriu, në seancë dëgjimore, duke dhënë detaje për deklarimin e të mbrojturës së tij, tregoi se si ndodhi i gjithë rasti.
Në vendim thuhet se në ato momente, e pandehura nga vrima vëzhguese e derës së banesës e sheh se para derës se saj ndodhet tani i ndjeri F.H., duke e pritur. Aty thuhet se kjo situatë të dyshuarën e vendosi në shok të rëndë sepse nuk e kishte pritur se tani i ndjeri realisht të shkonte te banesa, pasi siç ka thënë e pandehura i njëjti edhe në 3-4 raste të tjera e ka kërcënuar në mënyrë të njëjtë, por nuk ka shkuar asnjëherë.
Gjithnjë sipas vendimit, pasi F.H., ka hyrë në banesë, e kapë për flokë të dëmtuarën dhe fillon ta godasë në kokë. Në vendim, theksohet se e pandehura në vazhdimësi ka qenë e sulmuar dhe në atë moment e mori një shishe të xhamit me qëllim që ta frikësojë viktimën që mos ta vazhdojë sulmin, ku vetë e pandehura ka marrë lëndime trupore gjatë kësaj përleshjeje fizike.Bazuar në të gjitha këto, avokati Kadriu, ka kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë për caktim të masës së paraburgimit, duke thënë se sipas bindjes së tij, e pandehura ka vepruar në mbrojtje të nevojshme dhe se nuk ka pasur qëllim që me dashje ta privojë nga jeta tani të njderin.
Po ashtu, në seancë dëgjimore, Kadriu ka thënë se konsiderojnë që nuk ka kushte që të ndikohet në dëshmitarë e as të arratiset, e kjo duke marrë për bazë edhe faktin që e pandehura ka bashkëpunuar me organet e hetuesisë, dhe se duke marrë për bazë edhe gjendjen emocionale të të pandehurës e cila është e tronditur nga ngjarja, i propozoi Gjykatës caktimin e ndonjë masë alternative.
Në fund, gjyqtari i procedurës paraprake Ilir Bytyqi gjeti se qëndrojnë bazat për caktimin e masës së paraburgimit, duke vlerësuar se masat mv të buta janë të pamjaftueshme për zhvillimin e rregullt të procedurës penale.