Presidenti i skuadrës së Ferizajit, Lulzim Abazi, ka reaguar ashpër lidhur me pozitën aktuale të skuadrës në Superligën e Kosovës, duke theksuar se ekipi i tij nuk e meriton vendin ku ndodhet dhe ka ngritur shqetësime serioze për gjykimin në ndeshjet e fundit.
Duke folur për KosovaPress, ai ka deklaruar se Ferizaji, pavarësisht rezultateve, ka treguar cilësi dhe ka arritur fitore ndaj skuadrave më të forta të kampionatit, duke lënë të kuptohet se renditja aktuale nuk pasqyron realitetin në fushë.
Presidenti i klubit ka ngritur akuza të forta edhe për referimin, duke thënë se skuadra e tij është dëmtuar vazhdimisht gjatë sezonit, sidomos në përballjet me ekipet e renditura më poshtë.
“Kemi pasur shumë dëmtime nga ana e referëve, ku jemi dëmtuar në çdo ndeshje, thuajse në çdo ndeshje, edhe është interesante që në ndeshjet me ekipet e larta që janë nuk kemi pasur dëmtime gjatë ndeshjeve, po mendoj se është zhvilluar shumë mirë ndeshja dhe arbitri ka qenë në nivelin e duhur, mirëpo me këto ekipet që kemi luajtur në pjesën e pestë e më poshtë gjithmonë jemi dëmtuar. Arsyen nuk jemi duke e ditur pse; si në penallti, si në kartona të kuq, domethënë çdo herë kemi pasur diçka që neve na ka larguar nga loja” – shtoi Abazi.“Po mirë, ne nuk kemi pasur, me të thënë të drejtën, financa shumë të mëdha. Të gjithë thonë që në Ferizaj është ekonomia e zhvilluar, ka biznese shumë të zhvilluara. Ferizajasit nuk e duan shumë klubin nga ana financiare, nuk e duan; dinë të flasin, të ankohen pse nuk ka rezultate, por kur është puna tek ana financiare, nuk janë, nuk e japin atë që duhet me e dhënë dhe duhet t’i thërrasim shumë herë për sponsorizime dhe, mbas 20 thirrjeve, në të 21-ën herë ndoshta të thotë që diçka po ju ndihmoj për sponsor” – ka thënë Abazi.
Ferizaji aktualisht ndodhet në pjesën e poshtme të tabelës, ndërsa lufta për mbijetesë në Superligën e Kosovës mbetet e hapur deri në javët e fundit.