Në mungesë të kuorumit ka dështuar mbledhja e Komisionit hetimor parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor dhe arsimit të mesëm të ulët për vitin shkollor 2023/2024.
Në këtë komision pritej të intervistoheshin Fadile Dyla, sekretare e përgjithshme e MASHTI-t, Avni Rexha, ushtrues detyre i drejtorit të Departamentit të arsimit parauniversitar, Genc Hamzaj nga Agjencia e Shoqërisë së Informacionit - ASHI.
Kryetari i komisionit Shemsedin Dreshaj ka thënë se kanë qenë të përgatitur që sot të vazhdojnë me intervistimin e dëshmitarëve të radhës.
Ndërsa, deputeti i Partisë së Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu ka thënë se bojkotimi nga mazhoranca nuk do të ndalë hetimet për subvencionimin e teksteve shkollore.Në anën tjetër, lidhur me dështimin e mbledhjes së këtij komisioni janë deklaruar nga partia në pushtet. Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Armend Muja ka përmendur kushtëzimin e opozitës lidhur me shkarkimin e shefes së grupit parlamentar Mimoza Kusari-Lila.
Ndërkaq, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Arjeta Fejza ka thënë se anëtarët e opozitës në komision nuk kanë treguar gatishmëri të përmbushin misionin e komisionit të formuar me kërkesën e vetë tyre.