Remi për Specialen: Nuk e kemi votuar një gjykatë të këtij lloji
Lajme
Lexohet për: 3 min.
remi---e-fundit
1 muaj më parë
Linku u kopjua

“Është shumë e vështirë të kuptohet kjo lloj drejtësie që po bëhet kundrejt Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe bashkëluftëtarëve”, thotë ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa derisa flet për Gjykatën Speciale.

Në një intervistë për KosovaPress, ai thotë se procesi gjyqësor në Hagë është tejzgjatur.

Ai që njihet si komandant Remi ishte vetë dëshmitar në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, në procesin kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.

“Është stërzgjatur shumë. Nuk e di a do të këtë brenda rregullave që të arsyetohet, njerëzit në paraburgim pesë vjet dhe të mos përfundojnë ende dëshmitë. Krejt çka mundem me thënë është unikate dhe është shumë e vështirë për ta kuptuar këtë lloj drejtësie që bëhet kundrejt Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kundër Kosovës e kundër bashkëluftëtarëve", thotë Mustafa.

Rrustem Mustafa, dikur deputet i Kuvendit të Kosovës kishte votuar për themelimin e Gjykatës Speciale.

Por, ai thotë se nuk ka votuar për një gjykatë të tillë çfarë po funksionon sot.

"Unë jam njëri nga ata që kam votuar për Gjykatën e Hagës. Ne e kemi votuar me një mendim, raporti i Dick Marty për akuza të caktuara të lajmëruara të organeve. Të gjitha ato akuza kanë rënë. Ne nuk kemi votuar një gjykatë të këtij lloji, çfarë sot po ndodh”, thotë Mustafa.

Mustafa thotë se ish-krerët e UÇK-së po akuzohen padrejtësisht dhe sipas tij, raste tilla janë trajtuar më parë nga UNMIK-u dhe EULEX-i.

Thaçi po akuzohet për herë të dytë nga Prokuroria e Specializuar në Hagë. ZPS e ngarkon atë me vepra që lidhen me ndikimin në dëshmitarë - derisa ai dhe ish-krerët e UÇK-së ndodhen në një proces të tejzgjatur gjyqësor për krime të pretenduara të luftës.

"Është krejt e pajustifikuar, ata mbahen në paraburgim, pikërisht që mos të mundin të kenë qasje me njerëz për pengim të drejtësisë. Ata janë në burgun më të sigurt në botë dhe ata, Gjykata e Hagës, po e pranojnë se brenda mekanizmit të saj ka mundur të ketë ndërhyrje. Unë jam i sigurt që nuk ka pasur pse të ndërhyhet dhe nuk çka të ndërhyhet në këtë gjykatë. Ne flasim për gjykatën për çdo ditë, kudo që rrimë ne flasim për gjykatën, për ndërhyrjet në drejtësi dhe nuk ka mundësi të bëhen nga kushdo qoftë ai", thotë Mustafa.

Aktakuza vjen ndërkohë që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi kanë hyrë në vitin e pestë që ndodhen në paraburgim nën pretendimet për krime lufte.

Ndaj tyre po zhvillohet një proces gjyqësor që aktualisht ndodhet në fazën e paraqitjes së provave nga ana e ZPS-së. Çështja e prokurorisë pritet të mbyllet në pranverën e vitit të ardhshëm, për t’i hapur rrugë çështjes së mbrojtjes.

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...

https://kosovapress.com/thaci-ne-speciale-kerkon-respektim-te-kushtetutes-dhe-ligjeve-te-kosoves

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025