Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, sërish u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tjerë “të zbatojnë shpejtë” marrëveshjet për armët dhe furnizimet e tjera për të ndihmuar Ukrainën në luftën kundër pushtimit të nisur nga Rusia.
Në një video-mesazh të publikuar në orët e vona të 14 shtatorit, ai tha se “është e rëndësisë kritike që të gjitha shtetet, veçmas SHBA-ja, të zbatojnë menjëherë marrëveshjet e arritura me Ukrainën”.
Përpjekjet e mëdha për të ndihmuar ushtarakisht Ukrainën po vazhdojnë, teksa NATO-ja po përballet me thirrje nga disa shtete anëtare që të furnizojë Kievin me armë më të avancuara.
Kievi po ashtu vazhdimisht thotë se ka nevojë që të kryejë sulme brenda territorit rus me armë me rreze të gjatë veprimi, në mënyrë që të mbrojë veten nga forcat pushtuese ruse. Ky argument ukrainas është mbështetur nga disa zyrtarë të NATO-s.Këshilltari për siguri kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan, tha më 14 shtator se Biden “është i vendosur që t’i përdorë katër muajt që i kanë mbetur të mandatit që ta vendosë Ukrainën në pozitën më të mirë të mundshme në mënyrë që të triumfojë”.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë më herët gjatë javës se Perëndimi do të ishte “në luftë” me Rusinë nëse i lejon Ukrainës të sulmojë me raketa me rreze të gjatë, të prodhuara në Perëndim, ndërkaq Medvedev tha më 14 shtator se Rusia mund ta shkatërrojë kryeqytetin ukrainas, Kiev, me armë jobërthamore nëse Perëndimi heq kufizimet e tij.