Serbia ndërhyn sërish në zgjedhjet në Kosovë, Vuçiq: Do ta mbështesim Listën Serbe me të gjitha forcat tona
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Serbia ndërhyn sërish në zgjedhjet në Kosovë, Vuçiq: Do ta mbështesim Listën Serbe me të gjitha forcat tona
Serbia nuk ka hequr dorë nga mbështetja për Listën Serbe. Pas raportimeve për presion e shantazh për të votuar këtë subjekt politik në zgjedhjet e 7 qershorit që do të mbahen në Kosovë, Vuçiq pa asnjë hezitim ka deklaruar se do ta mbështesë Listën Serbe me të gjitha forcat e tij.
Teksa u përgjigj para gazetarëve, Vuciq tha të enjten se gjoja kësisoj do të luftojnë për “pozicionin e popullit serb”.
"Ne do të luftojmë. Ne do ta mbështesim Listën Serbe me të gjitha forcat tona, do të luftojmë për pozicionet e popullit serb”, ka thënë ai, transmeton KosovaPress.
Duke synuar ndikim te serbët e Kosovës, rrjedhimisht ndërhyrje në zgjedhjet e 7 qershorit, Vuciq përdori narrative dezinformuese duke thënë se gjoja shqiptarët do të angazhohen për të mposhtur serbët”.
“Dhe shqiptarët do të bëjnë gjithçka që munden për të mposhtur serbët, për të mbështetur me forcë shërbëtorët e tyre dhe ata që duan ta shkatërrojnë Serbinë", pretendoi ai.
Ndërkaq i pyetur për Asociacionin e Komunave serbe, ai tha se është edhe “mbijetesë e popullit serb”.