Beogradi ka hedhur një tjetër hap në zgjerimin e infrastrukturës së tij ushtarake, duke përfshirë edhe Kishën Ortodokse Serbe në një proces shkëmbimi të pasurive të paluajtshme që synon zhvillimin e kapaciteteve të reja të mbrojtjes.
Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Bratislav Gashiq, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Administrimit të Ujërave, Dragan Glamoçiq, drejtori i Drejtorisë së Pronës së Republikës, Jovan Vorkapiq, si dhe përfaqësuesi i Kishës Ortodokse Serbe, dhjakoni Aleksandar Stamenkoviq, nënshkruan të enjten në Beograd marrëveshjen për shkëmbimin e pasurive të paluajtshme.
Ministri Gashiq deklaroi se marrëveshja do të mundësojë menaxhim më efikas të pronave dhe do të krijojë kushte për realizimin e projekteve të reja infrastrukturore në sistemin e mbrojtjes.
Ai tha se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve shtetërore dhe Kishës Ortodokse Serbe është në interes të ndërsjellë dhe do të kontribuojë në forcimin e kapaciteteve operacionale të Forcave të Armatosura Serbe.Për Kosovën, zhvillime të tilla kanë rëndësi të veçantë për shkak të afërsisë gjeografike dhe historikut të tensioneve ndërmjet dy vendeve.
Edhe pse marrëveshja nuk përmend Kosovën dhe nuk paraqet ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë me zhvillimet atje, përdorimi i pronave shtetërore dhe atyre të Kishës Ortodokse Serbe për zgjerimin e infrastrukturës ushtarake shihet si pjesë e strategjisë më të gjerë të Serbisë për forcimin e kapaciteteve të saj të mbrojtjes, shkruan The GeoPost. .