Pjesëmarrja e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, në samitin e Komunitetit Politik Evropian në Jerevan po konsiderohet një hap i rëndësishëm për përfaqësimin ndërkombëtar të vendit, ndonëse jo pa dilema mbi fuqinë e këtij përfaqësimi.
Në këtë forum, që mbledh rreth 50 liderë nga e gjithë Evropa për të diskutuar sfidat kryesore të kontinentit, Kosova po përfaqësohet nga një qeveri në detyrë. Sipas njohësve të diplomacisë, kjo situatë ka si anë pozitive praninë e shtetit në tryeza ndërkombëtare, por njëkohësisht kufizon kapacitetin për vendimmarrje dhe marrëveshje konkrete.
Sipas tij, prezenca e Kosovës në një forum gjithëpërfshirës evropian është e domosdoshme, sidomos në kontekstin kur disa shtete ende nuk e kanë njohur pavarësinë e saj. Ai shton se samite të tilla ofrojnë mundësi për takime bilaterale dhe multilaterale, të cilat mund të jenë të dobishme për avancimin e interesave shtetërore.
Megjithatë, Canaj vlerëson se fakti që vendi përfaqësohet nga një qeveri në detyrë i bën shtetet e tjera më të rezervuara, pasi mungon një mandat i plotë për të marrë dhe zbatuar marrëveshje.Në anën tjetër, diplomati Albert Prenkaj është më kritik ndaj këtij përfaqësimi. Ai për KosovaPress e cilëson atë si të “çalë”, duke argumentuar se mungesa e një qeverie me mandat të plotë dhe mbështetje parlamentare e dobëson seriozitetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Sipas tij, një përfaqësim i tillë mund të perceptohet si i paplotë dhe madje i papërfillshëm në gjuhën diplomatike.
“Një përfaqësim i Kosovës në këtë formë, do të thotë i çalë, ta quaja unë, pasi nuk kemi një qeveri fuqiplotë, legale dhe legjitime, pasi kemi një qeveri në detyrë. Kjo Kosovës fare nuk i shkon për shtati. Kemi parë para disa ditëve edhe reagimin e Departamentit të Shtetit të ShBA-së, i cili bën kërkesë që Kosova të jetë serioze në përfaqësim dhe mos të ketë përfaqësim i cili çalon dhe nuk ka legjitimitet dhe legalitet. Për këtë arsye mund të quhet në gjuhën diplomatike si përfaqësim i papërfillshëm. Me një qeveri e cila nuk ka prapa saj një Kuvend, legjislaturë që është dalë nga zgjedhjet, nuk mund të përfaqësojë një shtet. Një vazhdimësi e një përfaqësimi kësisoj, shterpë tashmë përgjatë dy viteve, Kosovën e ka hedhur nën hije apo në një situatë të pakëndshme diplomatike në arenën ndërkombëtare”, thekson ai.