Rritja e çmimeve, qytetarë të shumtë bojkotojnë supermarketet në Kosovë
Tema
Lexohet për: 3 min.
marketet
11 orë më parë
Linku u kopjua

Qytetarë të shumtë i janë bashkuar sot iniciativës për bojkotimin e supermarketeve si rrjedhojë e rritjes së vazhdueshme të çmimeve. Ata e përkrahin këtë iniciativë, duke theksuar se shteti duhet të ndërmarrë masa për të ndaluar këtë dukuri. Iniciativa ka marrë mbështetje në rrjete sociale, ku është formuar një grup i qytetarëve që kanë bërë thirrje për bojkotin, i cili ka fituar mbështetje nga më shumë se 6 mijë qytetarë, ndërsa mbi 200 mijë të tjerë janë informuar për të, raporton KosovaPress.

Xhevat Kastrati, një nga themeluesit e iniciativës, tha sot se ka pasur raportime nga qytetarë të shumtë që kjo nismë po respektohet, por gjithashtu përmendi se ka individë që nuk janë të informuar për bojkotin për shkak të zgjedhjeve. Një iniciativë e tillë fillimisht u mor në disa vende të rajonit, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.

Qytetarët në Kosovë ankohen për çmime të larta dhe manipulime me çmime në disa supermarkete.

Qytetari Nexhmedin Llapashtica i cili mbështet këtë nismë, thotë se bojkotet nuk janë mjaftueshëm, dhe se duhet një reagim më i madh i popullit.

Se çmimet janë tejet të larta dhe kjo nismë duhet të mbështetet nga të gjithë e thotë edhe qytetari, Refik Ramaj.

Në anën tjetër edhe qytetarja, Sevdije Hoti thotë se kjo nismë është me vend, pasi siç thotë ajo, çmimet janë të larta.

Mirëpo, kjo nismë nuk do të përfundojë me sot, pasi sipas themelueseve të iniciativës, do të vazhdojë edhe në data tjera. Themeluesi i iniciativës, Xhevat Kastrati, thotë se për datën tjetër do të jenë më të organizuar për të njoftuar në masë më të madhe të qytetarëve.

“Kemi raportime të shumta prej qytetarëve në grupin tonë në Faceobook, disa thonë që ka njerëz, por disa të tjerë thonë se nuk janë duke blere njerëzit në masë të madhe si zakonisht. Tash kemi mbi 6 mijë anëtar në Facebook dhe së paku këta do të respektojnë iniciativën. Gjithashtu në instagramin kemi arritje mbi 200 mijë njerëz përmes zotimeve tona dhe mijëra shpërndarje. Po besoj që kemi arrit sado pak të ndikojmë tek ata që mos të blejnë sot...Në bazë të shikimeve mbi 200 mijë qytetarë të Kosovës janë të informuar. Edhe zgjedhjet kanë ndikuar që mos me pas shumë përkraha iniciativa pra data parë. Por, do të vazhdojmë me iniciativa, data tjera”, thotë Kastrati për KosovaPress.

Ditë më parë, edhe kryetari i shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku ka përkrahur iniciativën, duke theksuar se epoka e mashtrimeve dhe çmimeve spekulative ka mbaruar. Ai për KosovaPress kishte thënë se, çmimet në Kosovë janë të kurdisura dhe duhet të jenë më të ulëta se në vendet e origjinës, duke shtuar se Kosova ka nevojë për përfaqësues tregtarë që do të monitoronin ecurinë e eksporteve dhe importeve.

Kujtojmë se të zemëruar nga rritja e vazhdueshme e çmimeve, qytetarë të disa vendeve të Ballkanit Perëndimor në fund të janarit u ftuan t’i bojkotojnë blerjet në disa dyqane të mëdha ushqimore.

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...

https://kosovapress.com/rritja-e-cmimeve-kosova-behet-pjese-e-bojkotit-te-supermarketeve

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025