Akuzat e SPAK, reagon Veliaj: Unë dhe familja ime nuk kemi lidhje me fjalën korrupsion
Rajoni
Lexohet për: 2 min.
erionii
3 ditë më parë
Linku u kopjua

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka reaguar pas arrestimit të tij mesditën e sotme nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Veliaj është distancuar nga akuzat e ngritura nga SPAK ndaj tij, ndërsa thekson se ai dhe familja e tij nuk kanë asnjë lidhje me fjalën korrupsion.

“Nuk më befason ky fund absurd i këtij kapitulli të gjatë zvarritjeje sa në gojët e qenërisë mediatike dhe sa në duart e një prokurori lunatik, që është një fyerje e gjallë e inteligjencës njerëzore. Por, ky ishte vetëm kapitulli i pare”, shkroi ai në Facebook.

“Më vjen keq për motrat dhe vëllezërit e Partisë Socialiste dhe për kryetarin, që pas kaq vitesh beteja të përbashkëta elektorale, nëse nuk do të më ketë në krah këtë fushatë, siç duket gjasat, përderisa më fusin në burg pa gjyq 3 muaj para zgjedhjeve. U them të gjithëve atë që i kam thënë kryetarit dhe kujt tjetër më ka pyetur: Nuk kemi asnjë lidhje unë dhe familja ime me fjalën korrupsion. Kjo historia jonë është aq tragjikomike sa njerëzit s’do ta besojnë kur t’i dëgjojnë të zbërthyera një e nga një, idiotësitë e asaj akuze. Nuk do të jetë e lehtë, se në këto kushte nuk shpjegohesh dot si do dhe sa do, por kam një besim të madh se e vërteta është më e fortë se sa çdo mur dhe se sa çdo idiot që i bëhet asaj barrikadë duke abuzuar me pushtetin e drejtësisë”, thotë më tej Veliaj.

Gjatë ditës Prokuroria e Posaçme në Shqipëri ka reaguar zyrtarisht në lidhje me arrestimin e Erion Veliajt, ndaj të cilit është caktuar masa e sigurisë së arrestit me burg dhe ‘arrest në shtëpi’ ndaj bashkëshortes së tij Ajola Xoxa, si dhe masat e sigurisë ‘detyrim paraqitje’ ndaj pesë biznesmenëve.

Në reagimin e tij SPAK, shpjegon se Erion Veliaj akuzohet “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025