Klubeve sportive u kërkohet të kenë staf mjekësor dhe aparaturë adekuate
Tema
Lexohet për: 2 min.
4 ditë më parë
Linku u kopjua

Sporti është njëri nga aktivitetet më kreative dhe që zgjon interesim të lartë por edhe rrezikshmëria e të angazhuarit në këtë fushë është mjaft e lartë. Ka shumë raste kur lojtarët pësojnë lëndime të rënda apo edhe kolapsojnë në fushë. Në raste të tilla intervenimi i personelit mjekësor është jetik.

Në Kosovë, klubet sportive - sidomos ato të futbollit ku intensiteti i lojës është shumë i lartë – nuk kanë staf mjekësor dhe nuk janë të pajisura me aparaturën adekuate.

Specialisti i Mjekësisë Sportive, Bernard Tahirbegolli thotë për KosovaPress, se në mungesë të rregullativës ligjore klubet duhet të kenë së paku një mjek prezent në ndeshje, por edhe gjatë seancave stërvitore.

Ai shton se çdo klub duhet ta ketë një mjek, një defribilator dhe një person që ka njohuri për ta përdorur atë në raste urgjente.

“Realisht është e nevojshme që në çdo klub, në çdo objekt sportiv te ketë të paktën një defribilator dhe një person i cili është i trajnuar për ta përdorur atë. Do të thotë, kur ka gara ose stërvitje, çdo objekt ta ketë defribilatorin e vet edhe ta paktën një person. Meqë trajnerët janë vazhdimisht prezentë me sportistë duhet edhe ata ta kenë këtë trajnimin e mbështetjes bazike për jetën, ose ndihmën e parë siç njihet, të mësohen disa persona për ta dhënë ndihmën e parë nëse autoambulanca ose mjeku nuk është aty”, thekson Tahirbegolli.

Tutje, Tahirbegolli thotë se Qendra Kombëtare e Mjekësisë Sportive është e gatshme t’i ndihmojë klubet dhe federatat me staf mjekësor, nëse ato paraqesin kërkesë për këtë.

Ai u bënë thirrje klubeve sportive që gjendja shëndetësore e sportistëve të verifikohet para nënshkrimit të kontratës, ose së paku para nisjes së aktivitetit fizik.

Ndryshe, në fund të muajit të kaluar futbollisti i klubit të futbollit “Vushtrria”, Erjon Morina pati probleme serioze shëndetësore gjatë stërvitjeve dhe rikthimi i tij në fushë nuk është përcaktuar ende.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024