Kosova shihet si një shënjestër potenciale e Iranit, për shkak të pranisë së KFOR-it dhe bazës amerikane Bondsteel, por mbetet e mbrojtur përmes ombrellës së NATO-s dhe bashkëpunimit me aleatët.
Kapacitetet e reja raketore të Iranit, të demonstruara nga sulmi ndaj Diego Garcias, sugjerojnë se rrezja e goditjes mund të arrijë deri në 4.000 km, duke përfshirë edhe pjesë të Evropës.
Diego Garcia në Oqeanin Indian ndodhet rreth 4.000 kilometra larg Iranit. Përpjekja për ta goditur me raketa ka ngritur alarmin për fuqinë raketore të këtij vendi dhe ka shtuar frikën se ai mund të synojë pjesë të mëdha të Evropës - teorikisht edhe Kosovën.
Raketat u nisën më 20 mars drejt një baze ushtarake të SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar - njëra dështoi, ndërsa tjetra u rrëzua. Ajo që arriti të fluturonte, përshkoi rreth 3.000 kilometra nga baza e nisjes.“Këto raketa nuk kanë për qëllim të godasin Izraelin. Rrezja e tyre arrin kryeqytetet evropiane. Berlini, Parisi dhe Roma janë brenda rrezes së kërcënimit të drejtpërdrejtë”, tha shefi i ushtrisë izraelite, Eyal Zamir.
Instituti për Studime të Luftës (ISW), me seli në Uashington, vlerësoi se kjo ishte përpjekja më e largët ndonjëherë e Iranit për të goditur një objektiv me raketa.
Sipas vlerësimeve të inteligjencës amerikane, Irani disponon rreth 14 lloje të ndryshme raketash të tilla - të pajisura me koka luftarake bërthamore ose konvencionale.
Ndërsa aftësitë e raketave iraniane vazhdojnë të shqyrtohen, një zyrtar i BE-së tha për Radion Evropa e Lirë, në kushte anonimiteti, se ky është një dimension i ri i luftës me Iranin dhe se mbrojtja ajrore e kontinentit - katër vjet pas nisjes së luftës në Ukrainë - është mjaft e varfëruar. Deri më tani, BE-ja i ka ndarë Ukrainës mbi 70 miliardë euro ndihmë ushtarake për të luftuar pushtimin rus.
Mark Cancian, kolonel i pensionuar i Marinës amerikane, aktualisht këshilltar i lartë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington, e konsideron kërcënimin ndaj Evropës si “shumë real”.
“... sepse, kërcënimi është relativisht i ri. Hapat e parë për mbrojtje kundër Iranit janë ndërmarrë, ndërkohë që po zhvillohen kapacitete në lindje për mbrojtje kundër raketave dhe dronëve rusë. Polonia ka ndërtuar një ushtri dhe sistem të mbrojtjes ajrore shumë të fuqishëm, ndërsa hapa të ngjashëm po ndërmerren edhe nga vendet baltike”, thotë Cancian për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.
Më skeptik për kapacitetet e Iranit për të goditur drejtpërdrejt Evropën shprehet Gordan Akrap, ish-zyrtar i komunitetit të inteligjencës kroate, tani ligjëruses në Universitetin e Mbrojtjes dhe Sigurisë “Dr. Franjo Tugjman”.
Në këtë kontekst, Kosova përfshihet gjithashtu në analizë, për shkak të pranisë së saj ndërkombëtare. Vendi strehon misionin paqeruajtës të NATO-s, KFOR, si dhe bazën më të madhe amerikane në Ballkan, Bondsteel. Sipas të dy ekspertëve, kjo e bën Kosovën shënjestër potenciale, por jo të pambrojtur.
Koloneli Cancian thekson se Kosova përfshihet brenda mbulimit të sistemit antiraketor të NATO-s në Rumani dhe mund ta forcojë mbrojtjen e saj duke bashkëpunuar ngushtë me aleancën.