Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde tha se Kosova urgjentisht duhet të formojë institucionet dhe se politikanët duhet të vendosin shtetin të parin.
Pas dështimit për herë të 22-të të konstituimit të Kuvendit, Rohde në një deklaratë për KosovaPress theksoi se kjo situatë është kthyer në një bllokadë që po ndikon negativisht në perceptimin e Kosovës nga jashtë.
“E përshkruan fjala, është ngërç, është ndalesë. E thashë javën e kaluar, i bën njerëzit apatik dhe gjëja e fundit që i nevojitet një demokracie të gjallëruar është bllokada. Njerëzit kanë kryer punën e tyre me 9 shkurt dhe politikanët duhet të vendosin shtetin të parin, ndërsa politikën e partisë të dytën. Pra, mendoj se nevojitet urgjentisht që Kosova të formojë institucionet. Por, nuk është puna ime të bëjë punën e politikanëve, unë mund vetëm të observoj por mund të të them për siguri se nuk rrit imazhin e Kosovës jashtë vendit. Nëse nuk ke një institucion funksional është e vështirë të bësh detyrat e shtëpisë, sepse nuk ke fuqinë e prokurës të bësh vendime të vështira, të cilat nevojiten tani. Pavarësisht se a janë paratë e Planit të Rritjes të BE-së, të cilat janë në pritje për shkak se Kuvendi i Kosovës nuk është funksional, pra nuk mund të ratifikosh marrëveshjen”, tha Rohde, transmeton KosovaPress.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde thotë se bllokada në Kuvend vjen si pasojë e mos kompromisit mes partive politike.
Seanca konstituive ka nisur qysh më 15 prill.
Çështja e konstituimit të legjislaturës së nëntë ka ngecur te votimi i kryetarit të Kuvendit pasi partia e parë e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje – në koalicion me Guxo dhe Alternativa nuk po arrin t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për të zgjedhur Albulena Haxhiun kryeparlamentare.
Në përpjekje për të zhbllokuar situatën, më 15 maj, presidentja Vjosa Osmani takoi përfaqësuesit e partive politike, por as aty nuk pati pajtim për konstituim të Kuvendit.
Thirrje për dalje nga ngërçi ka bërë edhe faktori ndërkombëtar.
Në një konferencë për media në Prishtinë, Kallas kujtoi se formimi i institucioneve të reja është “thelbësor për stabilitetin dhe të ardhmen evropiane të Kosovës”./Z.Zeneli
Lajmi i plotë në sistemin me parapagim