Komandant Mujë Krasniqi ra heroikisht së bashku me 41 luftëtarë të UÇK-së më 14 dhjetor 1998, në një pritë nga forcat serbe, afër kufirit Kosovë-Shqipëri.
Mujë Krasniqi ishte ndër shkëndijat e para të luftës së armatosur të UÇK-së në Kosovë, si dhe njëri ndër të parët luftëtarë të paktë të UÇK-së.
Trualli i familjes së prindërve Mujë e Shehide Krasniqi lindi 11 fëmijë, ndër ta gjashtë djem, katër nga të cilët ishin ushtarë të UÇK-së, kurse dy ndër ta, Muja e Aliu, ranë dëshmorë.
“Muja, së bashku me Beqën (Beqir Gashin, rapsod e dëshmor) ishin të kyçur herët në lëvizjen ilegale, kur ishte nxënës i shkollës së mesme “Luigj Gurakuqi” të Klinës, në paralelet e ndara në Kijevë. Aty, pranë e profesoreshën Xheve Krasniqin – Lladrocin (dëshmore legjendare), e cila i drejtonte dhe i frymëzonte për veprime atdhetare”, përkujton Brahim Gashi, mik i Mujës, rapsod e arsimtar i muzikës e vëlla i dëshmorit Beqir Gashi.Në lëvizjet e hapta të protestave shqiptare që shpërthyen gjatë viteve ’80, Muja e Beqa i kishin ngritë peshë shpirtrat e revoltuar të prindërve, nxënësve e arsimtarëve, tek këndonin këngë shqiptare për figurat shqiptare që po i sulmonin serbomëdhenjtë e trabantët e tyre shqipfolës.
Kur Beqa këndonte për Luigj Gurakuqin, figurën e të cilit po e sulmonin shqipfolësit e yshtur nga serbomëdhenjtë, alarmohen edhe qarqet policore e ato pushtetore.
Prej vitit 1990 e këndej ka qenë gjithnjë në shënjestër të përndjekjes së milicisë serbiane.
Porse Muja dallonte që në ato vite dhe shpesh e thoshte se Kosova çlirohet vetëm me grykën e pushkës, pa ua mohuar të tjerëve kontributin atdhetar në lëmi tjera.
Kishte ndodhur lufta e rrethimi në Prekaz, më 1991. Ishte plagosur në atë luftë edhe daja i tij, luftëtar, Vesel Selimi. Prandaj, me të të afërmit tjerë Selimi të këtij fshati, figura të njohura më vonë në gjithë Kosovën, Sylejman e Rexhep Selimi, bëjnë organizimin e mbrojtjes së Açarevës (sipas revistës “Interesi nacional” 24 dhjetor 2001, Prishtinë). Muja, për një dekadë rresht, ka ndërmarrë aksion pas aksioni në ilegalen atdhetare të armatosur. Ishte ndër bartësit kryesorë të luftës e të themelimit të UÇK-së. Që në aksionet e para ishte së bashku me Jasharajt e luftarët e Açarevës.
Prej vitit 1993 e deri më 1996 punoi e veproi në ilegalitet të thellë, për shkak se përndiqej nga regjimi serb, ai u detyrua të kalojë në arrati. Më 1993 e kishte kryer aksionin e parë, për të vazhduar me shumë të tjera.
Edh pse punoi e veproi në kusht të vështira, nuk e lëshoi Kosovën, por qëndroi duke vazhduar luftën me intensitet më të lartë. Në tetor 1996 strehohet në Prekaz, në familjen Shaban Jasharit e Hamëz Jasharit. Mandej në familjet Haradinaj në Gllogjan, Brahimaj në Jabllanicë (tash Shqiponjë) etj.
UÇK ua zë pritat forcave serbe, ku armiku pati humbje. Prandaj serbët gjuajnë e dhe nëpër objekte shkollore a shtëpi, kur në shenjë hakmarrjeje, vritet mësuesi Halil Geci.
Në varrimin e këtij mësuesi, Muja ishte njëri ndër tre ushtarët që bëri paraqitjen publike të UÇK-së në Llaushë së bashku me Daut Haradinajn e Rexhep Selimin).Ishte 43 vjetori i lindjes së komandantit legjendar, Adem Jasharit, kur UÇK-ja nga veprimi ilegal kaloi në veprim legal.
Ishte koha e betimeve të mëdha para flamurit; kohë që do të vinte me martirizimin e grave, pleqve, fëmijëve e të tjerëve deri në çlirimin definitiv të Kosovës; kur kjo ushtri më e reja e më e suksesshmja në Ballkan, po bënte kthesa historike.
Sa e sa herë kishte shkuar vetë, në ballë të këtyre grupeve, Muja, për ta furnizuar UÇK-në me armë, duke përballuar shtigjet e gjata këmbë, motin e lig, pritat armike, terrenin e vështirë.
Në prill të vitit 1998, gjatë kryerjes së detyrës së dhënë nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Muja plagoset rënda tash për herë të dytë, mbasi herën e par ë ishte plagosur në luftimet në Rrafshin e Llullës. megjithatë, ai i mposht plagët. Në këtë kohë spitali ushtarak ishte vendosur në Likoc. Mjeku Fadil Beka bënte çmos që të përmirësohej gjendja e Mujës, deri në ndërhyrjen kirurgjikale.
Makineria ushtarake-policore serbe e kishte njohur mirë fshatin Çabiq, sepse aty gjendeshin rrënjët e rezistencës së armatosur, aty ku e kishte vendin e tij të lindjes edhe komandant Mujë Krasniuqi, vëllai i tij dëshmor, Aliu.
Kështu, e tillë ishte beteja e forcave të UÇK-së në Rigjevë, në Stapanicë, në zonat e fshatit Çabiq, në Qëndresë (ish Gllarevë); vijë luftarake front ale që shkonte kah Kijeva, e cila atëherë konsiderohej si pika më e rrezikshme dhe më e nxehta në Evropë. Për dy vite luftë nga ky fshat u martirizuan 24 veta: pleq, gra, foshnje, civilë duarthatë, vetëm pse gjendeshin pranë UÇK-së, me të cilën ndanin dhimbjet, mundimet, gëzimet e fitoreve dhe fatin e Kosovës.
Duheshin përgatitje për beteja të reja.
Ishte dimër i vështirë. Bjeshkët e Shkëlzenit ishin të mbuluara me borë. Natë e errët ishte, ora ishte diku kah dy pas mesnate, kur po gdhinte dita e 14 dhjetorit; kur vëzhguesit bien të parët në pritë.