Fondi Monetar Ndërkombëtar publikoi sot Raportin për Shqipërinë, ku theksohet se gjatë vitit 2024 ekonomia shqiptare është një nga ekonomitë me rritjen më të shpejtë në Evropë bazuar tek turizmi dhe politikat makroekonomike të kujdesshme, por ajo po përballet me vështirësi si plakja e shpejtë e popullsisë, emigrimi, prodhimtaria e ulët dhe mangësitë e qeverisjes.
Raporti, që erdhi në vijim të Misionit të FMN-së të mbajtur në muajin nëntor, thekson se pavarësisht nga performanca e fortë, Prodhimi i Brendshëm Bruto (GDP) për frymë i Shqipërisë qëndron në rreth një të katërtën e nivelit të vendeve anëtare të BE-së.
Në të thuhet se prodhimi tani është shumë më i lartë se sa para pandemisë COVID-19 falë lulëzimit të turizmit. Sipas FMN-së, politikat e kujdesshme fiskale ndihmuan reduktimin e dukshëm të borxhit publik, ndërsa ulja e shkallës së inflacionit u lehtësua prej politikave monetare, rënies së çmimeve të mallrave në tregjet ndërkombëtare si dhe prej mbiçmimit të lekut. Po ashtu është tkurrur ndjeshëm edhe deficiti i shkëmbimeve tregtare.
FMN vlerëson se perspektivat e rritjes pritet që të mbeten të fuqishme. Rritja reale e PBB-së ishte 3.9 në vitin 2023, por në vitet 2024-29 parashikohet të jetë rreth 3.5 për qind, e nxitur nga konsumi i brendshëm, turizmi dhe ndërtimtaria, thuhet në raport, ndërsa në fund të vitit 2024 inflacioni pritet të jetë rreth 2 për qind, një pikë poshtë objektivit të Bankës së Shqipërisë.FMN vlerëson se borxhi publik vlerësohet të jetë i qëndrueshëm në periudhën afatmesme, dhe nga parashikimi prej afro 56 për qind në fund të vitit 2024, pritet të bjerë në rreth 50 për qind në vitin 2029.
Raporti vlerëson se dobësitë sistemike janë të pranishme në sistemin financiar, ndërsa sektori bankar mbetet likuid dhe i mirëkapitalizuar.