Zgjedhjet e djeshme në Kosovë, thyen një rekord historik. Dhe ai nuk ishte për të mirë.
Ato shënuan përqindjen më të ulët të daljes së qytetarëve në votime, prejse vendi mban zgjedhje demokratike, pas luftës, sipas një analize krahasuese që ka bërë KosovaPress.
Pas këtij rezultati renditet ai i zgjedhjeve të vitit 2007, kur në kuti hodhën preferencat e tyre partiako politike 40.09 për qind e atyre me të drejtë vote. Kjo ishte llogaritur të jetë një shifër befasuese, jo për të mirë, kur dihej se ky proces elektoral ishte njëfarë referendum për pavarësi, e cila u shpall vetëm pak muaj më vonë.
Përqindja e tretë më e ulët e daljes në zgjedhje ishte regjistruar më 2017. Interesimi për garën parlamentare arriti në 41.3 për qind.Procesi i vitit 2019 solli një mobilizim prej 44.56 për qind.
Në fund të vitit 2010, shkalla e përfshirjes ishte 45.29 për qind.
Rezultati i vitit 2021 shënoi një nivel prej 48.78 për qind të daljes në votime.
Rekordi mbetet ai i zgjedhjeve të para parlamentare pas luftës, të mbajtura më 17 nëntor 2001. Atëherë në procesin demokratik u angazhuan 803,796 qytetarë, duke prodhuar normën më të lartë të pjesëmarrjes, 64.30 për qind.
Përqindja e ulët e daljes në zgjedhje nuk nënkupton me patjetër se edhe numri i votuesve ka qenë i tillë. Kjo varet shumë nga shifra e trupës elektorale për secilin proces.