Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka konfirmuar mbështetjen për të ardhmen e sportit në vend, duke nënshkruar kontrata me 47 atletë të rinj në kuadër të programit “Shpresat Olimpike”.
Me një fond total vjetor prej 85,000 eurosh, ky investim strategjik synon të përgatisë gjeneratën e re të sportistëve për garat ndërkombëtare, me një fokus të veçantë te Lojërat Olimpike “Los Anxhelos 2028”.
“Edhe sivjet i nënshkruajtëm shpresat olimpike. Ka qenë një rekord sa i përket numrit të sportistëve. 47 sportista për shpresa olimpike sot nënshkruajtën kontratën. Gjithashtu përfshihen krejt këta sportista prej 19 federatave të ndryshme sportive, ku vlen të ceket që ka edhe prej sporteve individuale por edhe prej atyre ekipore. Vlera totale diku rreth 85,000 euro në vjet, që do të thotë shpërndahen në të gjithë këta sportista. Pa marrë parasysh, Komiteti Olimpik është i përkushtuar që të ketë sa më shumë, t'i jep sa më shumë mbështetje sportistëve tanë, sportistë të cilët po na bëjnë krenarë, edhe qëllimi ynë dhe arsyeja jonë pse jemi këtu është pikërisht për sportistët”, tha Krasniqi për KosovaPress.
Mbështetja financiare shihet si një motivim i madh nga vetë sportistët. Notari Dior Krasniqi, një nga përfituesit, e cilësoi këtë ndihmë si esenciale.
“Është shumë e rëndësishme edhe ke domethënë shpresë sa më shumë, të jep motivim për të vazhduar tutje. Synimi im është të kualifikohem për LA 2028, të cilat mbahen, Lojërat Olimpike në Los Anxhelos 2028. Edhe ëndrra ime është që me e bë normën olimpike, domethënë me e përfaqësu shtetin tim në mënyrë sa më të mirë”, theksoi Krasniqi.