Gjykata Themelore të Prishtinë sot shpalli aktgjykim dënues me burgim të përjetshëm ndaj Blagoje Spasojeviqit dhe Vladimir Toliqit, të cilët u shpallën fajtorë për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, që ndodhi më 24 shtator 2023. Ndërsa, me 30 vjet burgim u dënua Dushan Maksimoviq. Si pasojë e këtij sulmi mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku, ndërsa u plagosën tre të tjerë.
Ekipi i KosovaPressit ndoqi procesin e gjykimit të të akuzuarve për rastin e Banjskës së bashku me familjen e heroit Afrim Bunjaku në Samadregjë të Vushtrrisë.
Ndërsa para se të fillojë procesi i aktgjykimit në Gjykatën Themelore për rastin e Banjskës, për KosovaPress foli edhe djali i xhaxhait, Arton Bunjaku.
Ai tha se familja pret burgim të përjetshëm për të akuzuarit, duke theksuar se drejtësia duhet të përfshijë edhe personat e tjerë që ende nuk janë përballur me ligjin.Duke folur për të dyshuarit që ende nuk janë arrestuar për rastin e Banjskës, përfshirë Milan Radoiçiq, Bunjaku e cilësoi situatën si padrejtësi.
“Vetë fakti që ai ende është në arrati dhe në liri dhe mbrohet nga Beogradi, është padrejtësi. Ne kërkojmë nga bashkësia ndërkombëtare dhe Qeveria e Republikës së Kosovës që sa më parë të paraqitet para drejtësisë dhe të marrë dënimin maksimal”, u shpreh ai.
“Ishte një ditë e dhimbshme dhe nuk e kemi pritur që në liri të sulmohet një pjesë e Kosovës. Jo vetëm Afrimi, por të gjithë ata që ishin prezent dhe vazhdojnë të jenë prezent janë heronj të gjallë të kësaj toke”, tha Bunjaku. Rreth orës 4 më kanë njoftuar se Afrimi është plagosur rëndë. Pas rreth 30 minutash e kam kuptuar se ai ka ndërruar jetë gjatë betejës me kriminelët në Mitrovicë. Besojmë fort që do ta marrin dënimin maksimal të merituar. Nëse kjo nuk ndodh, do të ishte shumë e rëndë jo vetëm për familjen, por për gjithë popullin e Kosovës dhe për drejtësinë”, tha ai.
Nga ai sulm terrorist mbeti i vrarë rreshteri 50-vjeçar nga Vushtrria, Afrim Bunjaku, ndërsa u plagos zyrtari policor Alban Rashiti dhe u lënduan Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu e Sedat Dushi.
Gati një vit pas sulmit, Prokuroria Speciale më 11 shtator pati ngritur aktakuzë, ku në mesin e të akuzuarve kryesorë është Milan Radoiçiq, si udhëheqës i grupit.