Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës ka shprehur shqetësim lidhur me vendimin e fundit të Qeverisë për formimin e një Komisioni të ri për dhënien e Provimit të Jurisprudencës, duke e cilësuar atë si të paligjshëm dhe ndërhyrje në pavarësinë institucionale.
Në reagimin e tij, ai i referohet vendimit 24/11 të datës 20 prill 2026, i cili është arsyetuar nga Qeveria me pretendime për mungesë transparence dhe ankesa ndaj komisionit ekzistues. Kryetari i Supremes, njëherësh kryetar i deritanishëm i Komisionit, thekson se çdo vendimmarrje duhet të mbështetet në fakte të verifikuara dhe në respektim të kompetencave ligjore.
Sipas tij, arsyet e dhëna nga ministrja për ndryshimin e përbërjes së Komisionit janë “absurde dhe jo të vërteta”, ndërsa vendimi në tërësi është “jo ligjor dhe kundërkushtetues”.
Tutje, ai ka theksuar se Komisioni nuk ka lejuar ndërhyrje në procesin e vlerësimit të kandidatëve, duke e konsideruar këtë si kompetencë ekskluzive të tij. Sipas tij, e vetmja vërejtje nga Ministria e Drejtësisë ka qenë shkalla e ulët e kalueshmërisë, ndërsa ka refuzuar çdo presion për uljen e kritereve.Ai shton se emërimi i një komisioni të ri para përfundimit të mandatit të atij ekzistues përbën ndërhyrje në institucionet e pavarura dhe është pjesë e një trendi të vazhdueshëm të ndërhyrjeve në sistemin e drejtësisë.
Në fund, kryetari i Gjykatës Supreme thekson përkushtimin e tij dhe të anëtarëve të Komisionit për sundimin e ligjit, pavarësinë institucionale dhe mbrojtjen e interesit publik.