Raportimi për të luftën në Kosovë sfidohet nga mungesa e specializimit
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Raportimi për të luftën në Kosovë sfidohet nga mungesa e specializimit
Mënyra se si mediat në Kosovë raportojnë për ballafaqimin me të kaluarën vazhdon të mbetet një nga sfidat më të mëdha të gazetarisë, pavarësisht numrit të madh të storieve që publikohen. Mungesa e gazetarëve të specializuar, raportimi sipërfaqësor, mungesa e kontekstit dhe dominimi i narrativave të njëanshme ishin ndër temat kryesore të diskutimit gjatë prezantimit të një punimi mbi rolin e mediave në drejtësinë tranzicionale.
Autori i punimit, gazetari Besian Beha gjatë tryezës me temë “Raportimi i përgjegjshëm mbi ballafaqimin me të kaluarën dhe sfidat e mediave në Kosovë”, të organizuar nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike, tha se përgjegjësia e mediave është shumë më e madhe kur trajtohen tema të ndjeshme si krimet e luftës, viktimat dhe personat e zhdukur, teksa ngriti shqetësimin edhe për mungesën e të dhënave zyrtare që, sipas tij, e vështirëson raportimin profesional.
"Shteti nuk e ka një databazë konkrete me të dhëna se sa njerëz kanë qenë të vrarë në konfliktin e fundit, sa janë të zhdukur. Të gjitha këto të dhëna ofrohen prej shoqërisë civile. Normalisht një punë shumë e mirë që është bërë është Instituti për Krimet e Luftës, i cili tashmë është në punë e sipër që ta bëjë këtë databazë, sepse mbase mundet me u tingllu që nuk ka përgjegjësi të mediave. Në shumë raste e përmend për shembull që, kur raportojnë për pasojat që i ka pasë konflikti në vitin '98-'99, theksi është vetëm te shqiptarët, ose për shembull ka pasë ekstremisht pak storie kur flasim për viktimat që janë të komuniteteve tjera: romë, ashkalinj, egjiptianë. Edhe gjithashtu mediat nuk e kanë bërë punën më të mirë të mundshme që me ndiku në mënyrën se qysh perceptohen komunitetet në Kosovë. Për shembull, komunitetet rom, ashkalinj, egjiptianë në shumë raste nëse flet me njerëz, është paragjykimi edhe është ajo mënyra e të menduarit që këta kanë qenë me regjimin, këta kanë qenë me pushtuesin. Mediat nuk kanë treguar që ka pasur romë dhe ashkalinj që kanë qenë viktima civile, por që kanë qenë edhe pjesëtarë të UÇK-së", tha Beha.
Ndërsa, gazetarja hulumtuese Serbeze Haxhiaj tha se raportimi për luftën në Kosovë është i dominuar nga narrativa politike dhe nacionaliste, gjë që, sipas saj, e ka varfëruar gazetarinë.
Haxhiaj tha se Serbia duke mohuar krimet dhe duke ndjekur politika që synojnë minimin e shtetit të Kosovës, po e mban edhe diskursin në Kosovë shumë nacionalist, e që sipas saj, mediat janë ‘armatosur’ me këtë diskurs.
Kurse, Blerta Dalloshi nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, tha se tashmë kanë filluar trajnime të specializuara për gazetarë për raportimin mbi drejtësinë tranzicionale.
Ajo kërkoi që edhe universitetet të përfshijnë më shumë përmbajtje për raportimin mbi të kaluarën.
/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim.
Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.