Raporti për rastin e 5-vjeçarit: Lipjani duhet t’i ketë të paktën 6 punëtorë socialë, i ka vetëm dy
Intervista
Lexohet për: 6 min.
Dëgjoje me zë...
Raporti për rastin e 5-vjeçarit: Lipjani duhet t’i ketë të paktën 6 punëtorë socialë, i ka vetëm dy
Andin Hoti 16
16/04/2026 - 12:01
Linku u kopjua

Ministri për Punë dhe Familje, Andin Hoti ka shfaqur shqetësimin lidhur me shkeljet e gjetura në rastin e pësëvjeçarit nga Janjeva e Lipjanit dhe gjashtë fëmijëve të tjerë të cilët ndodhën në Qendrën për Punë Sociale.

Kjo,  pasi vonë pasditen e së mërkurës nga Divizioni për Inspektimin e Shërbimeve Sociale dhe Familjare e  ka pranuar raportin final për trajtimin e rastit të familjes nga ana e qendrës lokale. Aty mes tjerash thuhet se në këtë QPS kanë qenë të licencuar vetëm dy punëtorë social.


“Unë i kam raportet që ndonjëherë një zyrtar i Qendrës për Punë Sociale në Kosovë i ka 250 raste dhe kriteri apo normalja në BE është 30. Këto raporte nuk janë krijuar prej neve, janë krijuar prej organizatave ndërkombëtare por kjo është kompetencë e komunës, jo e imja. Pra, mos të marrë diçka që nuk është e imja. Mund të ndihmojë, sepse unë do të rekomandojë, ne e kemi përgatitur një dokument që t’i rekomandojë kryetarëve të komunave që me rrit stafin, as unë nuk e kuptojë pse ata nuk e rritin stafin. Në Lipjan do të duhej të ishin minimum gjashtë dhe janë tre dhe prej këtyre treve, dy janë me licencë. Nuk janë as tre me licencë. Edhe kjo është njëra prej të gjeturave të raportit. Dy janë me licencë dhe një është pa licencë. Ai pa licencë mund të kryej shërbime administrative por nuk merret me rastin, nuk e menaxhon rastin. Pra vetëm dy, a e kupton sa e rëndë është”, shprehet ai.

Në intervistë ekskluzive për KosovaPress, ministri tha se edhe gjendja e pesëvjecarit është stabile por që ka pësuar trauma të mëdha psikologjike.

“Gjashtë fëmijët e tjerë në bazë të asaj që kam janë shumë mirë me shëndet, janë strehuar, janë në monitorim nga ana e strehimoreve por edhe përmes Departamentit për Shërbime Sociale. Fëmija që është i vogël është në një gjendje stabile, por që ti mund të jesh, nuk po dua të them çdo detaj, por ti mund të jesh stabil në aspektin fizik, por në aspekte të tjera ai fëmijë ka pësuar trauma të mëdha. Nuk jam ndoshta unë kompetent por Ministria e Shëndetësisë, por ai fëmijë ka pësuar trauma të mëdha”, ka thënë ai.

Si shkak i keqtrajtimit të fëmijës pesëvjecar, dy prindërit e tij ndodhën në paraburgim.

Ndërkaq, gjashtë fëmijët të kësaj familje janë marrë nën përkujdesje nga  Qendra për Punë Sociale të Lipjanit.

Por sa gjatë do të qëndrojnë gjashtë fëmijët tjerë në Qendrën për Punë Sociale dhe çka do të garantojë shteti për ta.


“Edhe ky është një problem në vete. Në Kosovë ka familje dhe fatmirësisht unë jam i lumtur që ka familje të tilla, të cilat kanë marrëveshje me Ministrinë në këtë rast, Departamentin për Shëbrime Sociale dhe strehojnë fëmijët. Por, kjo nuk do të thotë që ata fëmijë strehohen permanent. Ata fëmijë strehohen deri në gjetje apo zgjidhje tjetër për ata fëmijë, është i përkohshëm. Ky është një problem goxha i madh se çka do të ndodhë me këta fëmijë, është një problem që nuk e përfshin më ministrinë time sepse duhet me marrë një vendim tjetër kush. Është gjykata që merr vendime të tilla, a do t’ia merr familjes të drejtën e prindërimit të përhershëm, që do të duhej me marrë në këtë rast pashmangshëm dhe kurdo që ja merr janë ato qendrat tjera që dërgohen këta fëmijë në jetimore, e tjera për mbikëqyrje”, u shpreh ai.

Ai u zotua se këtyre fëmijëve do u ofrohet përkujdesje shtetërore, ani pse në kohë nuk kanë arritur të parandalojnë keqtrajtimin që ka pësuar pesëvjeçari.

“Çka ndodhë me këta fëmijë mbetet të shihet, ajo çka ndodhë patjetër dhe çka mund të sigurojë është që këta fëmijë nuk do të jenë pa përkujdesje të shtetit. Është fatkeqësi e madhe që nuk kemi mundur të parandalojmë, por natyrisht që tani do të jenë në përkujdesje të shtetit derisa këta fëmijë të kenë një zgjidhje permanente qoftë me ato që përmenda, familje, qoftë në forma të tjerë”, deklaroi ai.

Teksa foli për numrin e vogël të punëtorëve social në vend, ai deklaroi se buxheti i dedikuar për QPS ishte “përvetësuar” nga komunat për çështje të tjera.

“Ka ndodhë në bazë të informacioneve që unë kam që buxheti që ka qenë i dedikuar për QPS, x komunash e kanë dedikuar rialokuar në departamente të tjera. Pra, një buxhet që është dhënë për QPS-të nuk po e marrë shembull në cilën komunë, një x kryetar i komunës, sepse kjo nuk është pak ka ndodhur në shumë prej tyre, e ka marrë këtë buxhet dhe e ka rialokuar diku tjetër sepse ka konstatuar që këtu nuk është e nevojshme të investohet. Qeveria ja ka dhënë buxhetin, komuna e ka rialokuar buxhetin. Ajo që po shqyrtojmë ligjërisht a po mundemi është që të obligojmë komunën që ne kur të ja dërgojmë si buxhet komunës, ai mos me pas të drejtë me lëviz por të investojë në QPS-në, qoftë në infrastrukturë, qoftë në njerëz”, përfundon ai.  

Hoti paralajmëroi masa ndëshkuese për të gjithë që janë evidentuar për mostrajtim të duhur të rastit.

Intervista e plotë me ministrin, ku trajtohen edhe shumë çështje të tjera, do të transmetohet gjatë ditës në të gjitha platformat e Agjencisë së Lajmeve KosovaPress./Sh.Pajaziti.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026