Shtetet e Bashkuara të Amerikës po largohen nga politika e ndërtimit të shteteve dhe ndërhyrjeve të drejtpërdrejta në Ballkanin Perëndimor, duke u fokusuar tashmë në stabilitet, partneritete strategjike dhe interesa të përbashkëta ekonomike. Kjo thuhet në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit drejtuar Kongresit mbi politikën amerikane ndaj rajonit.
Në pjesën që i kushtohet Kosovës, raporti thekson se forcat amerikane vazhdojnë të jenë pjesë e misionit të NATO-s, KFOR, i cili konsiderohet kyç për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe lirisë së lëvizjes në Kosovë, shkruan n1, transmeton KosovaPress. Po ashtu, SHBA-ja vazhdon të mbështesë transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë profesionale të mbrojtjes territoriale dhe multietnike.
Në dokument thuhet se “epoka e ndërtimit të shteteve nën udhëheqjen amerikane ka përfunduar” dhe se politika e re amerikane në Ballkanin Perëndimor nuk synon më “shpëtimin apo rindërtimin”, por stabilitetin dhe partneritetet me përfitim të ndërsjellë.
Administrata amerikane synon të fuqizojë aktorët lokalë që vetë të zgjidhin sfidat e tyre, ndërsa SHBA-ja do të ofrojë mbështetje vetëm aty ku përfshirja amerikane konsiderohet e nevojshme dhe në interes të saj strategjik.Përveç stabilitetit rajonal, SHBA-ja identifikon si prioritete kryesore edhe luftimin e ndikimit rus dhe kinez, forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, investimet në energji dhe infrastrukturë, si dhe luftën kundër krimit të organizuar.
Në raport thuhet se rajoni mbetet me rëndësi të drejtpërdrejtë për interesat ekonomike dhe të sigurisë së SHBA-së, ndërsa aktorët “keqdashës”, si Rusia dhe Kina, po përpiqen të shfrytëzojnë korrupsionin dhe paqëndrueshmërinë për të rritur ndikimin e tyre.