Në shenjë nderimi për dëshmorët e rënë në luftën e fundit në Kosovë, Komuna e Deçanit ka zhvilluar një varg aktivitetesh për të shënuar Ditën e Dëshmoreve sot më 5 Maj. E i pari i kësaj komune, Bashkim, Ramosaj tha se dëshmorët janë të kombit, për çka apeloi për unitet në nderim të jetës së tyre.
Ai së bashku me deputetët e AAK-së, Daut Haradinaj dhe Time Kadriaj, filluan nderimet pranë lapidarëve në oborrin e komunës, për të vazhduar më pas në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan si dhe në fshatrat Izniq, Prilep, Carrabreg i Ulët dhe Llukë e Epërme.

Ndërkaq, gjatë fjalës së tij në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit” Ramosaj theksoi se dëshmorët janë vlerë e përbashkët kombëtare dhe nuk i takojnë asnjë subjekti apo familjeje të përveçme.
Ndërkaq, deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj e cilësoi këtë ditë si moment reflektimi për sakrificën ndër breza, duke rikujtuar se liria e sotme është rezultat i një historie të gjatë rezistence dhe përpjekjesh.
“Kjo është dita kombëtare e dëshmorëve të kombit. Jo vetëm në Gllogjan, por edhe në Vlorë, edhe në Shkodër, edhe në Prekaz, edhe në Gllogjan është përvjetori i nderimit të dëshmorëve të kombit. Sot për me i ditë ju se shumë kolegë që i keni këtu profesorë, në të njëjtën kohë është edhe përvjetori i Ismajl Haradinaj, njëri prej njerëzve që në vitet 80-ta e ka lëshu ditarin edhe në një far forme e ka mobilizu atë kohë shoqërinë për me e largu Jugosllavinë prej këtu. Shumë prej atij brezi sot nuk janë mes nesh e shumica e profesorëve i kanë kolegë, por vuajtjet e tyre na kanë pjek neve për me qenë 98-99-tën gati me i kap armët edhe me luftu, kuptohet”, tha ai.
Shënimi i kësaj dite vijoi edhe me një program të organizuar nga nxënësit e gjimnazit “Vëllëzërit Frashëri” në bashkëpunim me Komunën e Deçanit.
“Për ne, lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mbetet e shenjtë, sepse ishte luftë për liri, për dinjitet dhe për të ardhmen e popullit tonë. E ne këtu në Deccan, në një vend që lidhet ngushtë me lindjen, organizimin dhe sakrificën e kësaj ushtrie, e ndjejmë këtë përgjegjësi edhe më shumë. Deccani nuk mban vetëm kujtime të historisë. Deçani mban krenari, qëndrueshmëri dhe amanetin e brezave. Si rini, ne nuk do të lejojmë që sakrifica e dëshmorëve të harrohet, të relativizohet apo të përdhoset. Përkundrazi, do ta mbrojmë me dije, me unitet, me punë dhe me përkushtim ndaj vendit tonë”, tha ai.
Programi nisi me një video të realizuar nga nxënësit, përmes së cilës u pasqyrua historia e luftëtarëve nga Komuna e Deçanit të rënë gjatë luftës së fundit në Kosovë, për të vazhduar më pas me pika artistike dhe me një ekspozitë të realizuar nga nxënësit.