Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar të dhëna nga raporti ndërkombëtar “BTI 2026”, duke theksuar pozicionimin e Shqipërisë në krye të vendeve të Evropës Juglindore në disa indikatorë kyç.
Sipas renditjes së Indeksit të Transformimit të Bertelsmann Stiftung (BTI), Shqipëria renditet e para në rajon për transformimin politik me 7.70 pikë, duke lënë pas Maqedoninë e Veriut (7.65) dhe Malin e Zi (7.40). Kosova renditet në vendin e katërt me 6.90 pikë, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia pasojnë me 5.95 dhe 5.18 pikë.
Sa i përket qeverisjes, Shqipëria kryeson sërish rajonin me 6.71 pikë, e ndjekur nga Maqedonia e Veriut (6.07) dhe Mali i Zi (5.90). Kosova renditet e katërta me 4.81 pikë, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia mbeten në fund të listës.
Në publikimin e tij, Rama e ka cilësuar këtë raport si një vlerësim të rëndësishëm ndërkombëtar që nuk ka marrë vëmendjen e duhur në media, duke e quajtur “raport që nuk do ta gjeni në kanale e portale”.Ky indeks konsiderohet një nga instrumentet më të rëndësishme krahasuese për të matur kapacitetin e shteteve në proceset e transformimit politik dhe ekonomik.