Rama: Opozita iu bashkua rezolutës për integrimin në Kuvend, së shpejti kapërcejmë në fazën tjetër të procesit
Drejtat Autoriale
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Rama: Opozita iu bashkua rezolutës për integrimin në Kuvend, së shpejti kapërcejmë në fazën tjetër të procesit
rama1234
17/05/2026 - 16:12
Linku u kopjua

Kryeministri i Shqipwrisw Edi Rama deklaroi sot se bashkimi i forcave politike në Kuvend për rezolutën mbi anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian është një zhvillim pozitiv dhe i mirëpritur për të ardhmen europiane të vendit.

Në podkastin “Flasim”, Rama u ndal te konsensusi i arritur në Kuvend për rezolutën lidhur me procesin e integrimit europian.

“Bashkimi i forcave në Kuvend për rezolutën lidhur me anëtarësimin në BE është i mirëseardhur në Kuvendin e Shqipërisë, ku befasisht, por e përsëris pozitivisht, forcat opozitare të Kuvendit të Shqipërisë u bashkuan me shumicën qeverisëse për një rezolutë të lidhur me anëtarësimin në Bashkimin Europian”, tha Rama.

Ai u shpreh se ky qëndrim i përbashkët duhet të përsëritet sa herë bëhet fjalë për interesin strategjik të Shqipërisë dhe procesin e integrimit europian.

“Më vjen mirë realisht që ndodhi diçka e tillë. Do të ishte mirë të ndodhte vazhdimisht kur flasim për anëtarësimin në Bashkimin Europian, por edhe një herë e vetme, prapë se prapë, është një herë me vlerën e vet”, u shpreh ai.

Rama theksoi se procesi i negociatave me Bashkimin Europian është i pandalshëm dhe se Shqipëria pritet të avancojë më tej në hapjen dhe mbylljen e kapitujve të negociatave.

“Më vjen mirë po ashtu që, me sa unë kuptoj, e kanë kuptuar që procesi është i pandalshëm, që bllokimi i shumëpërfolur nuk ekziston, që së shpejti do të vijë edhe lajmi i ri dhe i mirë, si të gjitha lajmet për hapjen e kapitujve, të kapërcimit në fazën tjetër të procesit dhe do të hapet edhe rruga për fillimin e mbylljes së kapitujve të negociatave”, deklaroi Rama.

Duke iu referuar mbështetjes së opozitës për rezolutën, Rama tha se çdo bashkim për projektin europian të Shqipërisë është i mirëpritur.

“Kështu që bashkimi, sado i befasishëm dhe sado i ngutur në “varkën e Shqipërisë europiane”, ku ne jemi aty prej kohësh dhe ku vendin e kanë gjithmonë aty, është plotësisht i mirëseardhur”, tha kryeministri Rama.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026