Rama dënon sulmet ndaj Yll Limanit: Dhuna online dhe thirrjet për bojkot janë të papranueshme
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Rama dënon sulmet ndaj Yll Limanit: Dhuna online dhe thirrjet për bojkot janë të papranueshme
Edi Rama BE
Foto Arkiv
13/06/2026 - 20:16
Linku u kopjua

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar ndaj sulmeve dhe thirrjeve për bojkot që po i bëhen këngëtarit Yll Limani pas koncertit të tij të fundit, duke i cilësuar ato si një formë të papranueshme të dhunës online.

Ndër të tjera ai shkruan se përditë e më shumë regjistrohet dhune verbale, plot presion e kërcënime ndaj kujtdo që nuk rreshtohet me protestuesit e bulevardit. Ai mori shembull edhe thirrjet rrugëve që bëjnë protestuesit ndaj qytetarëve si “Çohuni nga kafja”.

Përmes një postimi të gjatë në rrjetet sociale, Rama tha se nuk e njeh personalisht artistin dhe nuk e dëgjon muzikën e tij, por shtoi se fushata e sulmeve ndaj tij përfaqëson “shprehjen më të neveritshme” të një fenomeni që, sipas tij, po shoqëron protestat e zhvilluara në bulevard.

“Dhuna online ndaj tij, thirrjet e dhunshme për bojkot të koncertit të tij, kërcënimet pas suksesit të mbrëmshëm të tij, i konsideroj si shprehjen më të neveritshme të një fenomeni që po e shoqëron protestën e bulevardit”, shkroi Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare kritikoi ashpër atë që e quajti rritje të intolerancës dhe presionit ndaj qytetarëve që nuk mbështesin protestat, duke paralajmëruar se kjo klimë mund të dëmtojë demokracinë dhe debatin publik.

Ai tha se po krijohet një “dallgë dhune verbale”, e mbushur me kërcënime, presion dhe gjuhë fyese ndaj kujtdo që nuk rreshtohet me protestuesit.

Sipas Ramës, historia ka treguar se lëvizjet ekstremiste shpesh kanë nisur pikërisht me forma të tilla të presionit shoqëror dhe përjashtimit të mendimeve ndryshe. Në këtë kontekst, ai solli shembuj nga Italia fashiste, Gjermania naziste dhe lëvizja greke “Agimi i Artë”, duke theksuar se imponimi përmes frikësimit nuk mund të zëvendësojë argumentin dhe dialogun demokratik.

Rama nënvizoi se protesta është një e drejtë themelore demokratike dhe duhet respektuar, por shtoi se po aq e rëndësishme është edhe e drejta e qytetarëve për të mos protestuar dhe për të shprehur mendime të ndryshme pa u përballur me sulme apo etiketime.

“Kur protesta nxjerr si hije të vetën pretendimin se kush nuk proteston është më pak qytetar, më pak patriot apo më pak shqiptar, atëherë demokracia nuk rrezikohet nga lart, por nga poshtë”, theksoi ai.

Në fund të reagimit, kryeministri bëri thirrje për ruajtjen e dialogut dhe respektimin e mendimit ndryshe, duke paralajmëruar se zëvendësimi i argumentit me sharje dhe i bindjes me frikësim cenon lirinë dhe dëmton të ardhmen e vendit.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026