Një tetëvjeçar nga nga radhët e komunitetit serb në Komunën e Graçanicës ka mbetur jashtë bankave shkollore. Ani pse shtëpia e tij është ngjitur me shkollën “Sveti Sava”, Gjorgje po privohet nga e drejta për arsim.
Nëna e tij, Aleksandra Trajkoviq, pretendon se djali i saj nuk po vijon mësimin që nga 5 marsi, për shkak të, siç thotë ajo, presioneve dhe trajtimit të padrejtë nga drejtuesit e shkollës. Në anën tjetër, drejtori i institucionit arsimor, Milan Dimitrijeviq i ka mohuar këto akuza, duke theksuar se shkolla në asnjë moment nuk e ka penguar ndjekjen e mësimit.
Ministria për Komunitete dhe Kthim ndërton dhe ndan shtëpi për familjet e komuniteteve joshumicë në Kosovë, në kuadër të programeve për kthim dhe riintegrim. Një nga përfituesit e këtij programi është edhe familja e Aleksandra Trajkoviq në Graçanicë, e cila, sipas saj, u vendos në shtëpinë e re më 20 janar 2025 pasi çelësat iu dorëzuan nga ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.
Por pikërisht kjo sipas Trqajkoviq u bë “mollë sherri” për të dhe djalin e saj. Madje, ajo thotë se puna ka shkuar larg, deri të Qendra për Punë Sociale e kësaj komune.Por, kjo nuk është hera e parë që Gjorgje nuk lejohet të ndjek mësimet.
Trajkoviq thotë se kur kjo kishte ndodhur vitin e kaluar, djali i saj ishte kthyer në shkollë në nëntor nga ish-ministrja e arsimit, Arbërie Nagavci, ndonëse ishte ndarë nga bashkëmoshatarët dhe ishte përballur me probleme të tjera.
“E kam vënë tabelën për ta shitur shtëpinë dhe për të ikur, nuk mund të jetoj nga këta këtu, nga Milan Dimitrijeviqi. Fëmija më ankohet, erdhi dhe tha "mami, mësuesi më ngulfati, mësuesi më ngulfati, unë shkova të bisedoj me mësuesin, ata menjëherë thirrën Qendrën për Punë Sociale dhe thurin plane se si të më arrestojnë, si të na mbyllin mua dhe babanë tim, kurse fëmijën ta marrin”, është shprehur ajo.
“Në lidhje me pretendimet që janë paraqitur në lidhje me rastin e një nxënësi të shkollës që unë drejtoj, dëshiroj të theksoj se shkolla në asnjë moment nuk e ka ndaluar ndjekjen e mësimit dhe nuk ka pasur asnjë lloj kërcënimi të drejtuar ndaj fëmijës apo ndaj nënës së tij. Fëmija ka të drejtë të plotë të ndjekë rregullisht mësimin në përputhje me ligjin dhe me interesat e arsimimit dhe zhvillimit të tij. Për mosardhjen e nxënësit Gj.Gj., në mësim gjatë ditëve të fundit është njoftuar Qendra për Punë Sociale, pasi nëna refuzon përsëri çdo formë bashkëpunimi me shkollën dhe kjo nuk është hera e parë. Vendimi që fëmija të mos vijë në shkollë është marrë vetëm nga nëna, pa u bazuar në ndonjë vendim zyrtar të shkollës apo të institucioneve kompetente. Të gjitha pretendimet për ‘ndalim’, ‘ndarje’ apo çfarëdo forme diskriminimi paraqesin interpretime të njëanshme që nuk përputhen me gjendjen reale”, thuhet në përgjigjen e drejtorit të shkollës.
Ndërkaq, nga Qendra për Punë Sociale në Graçanicë, nuk kanë pranuar të flasin për KosovaPress.
“Nuk mundem të jap informacion sepse po interpretohet keq, nuk e kemi të lejuar të japim deklaratë në këtë rast... Vetëm mundem me thënë është rasti jonë për prindin Aleksandrën i hapur tek ne, kaq mund të them”, ka thënë ajo.
Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, djali 8-vjeçar vazhdon të jetë jashtë bankave shkollore. Nëna edhe sot ka kontaktuar KosovaPress-in, duke bërë me dije se Gjorgje nuk u lejua të jetë pjesë e procesit mësimor në shkollën “Sveti Sava”. Lidhur me këtë rast, KosovaPress i ka nisur e-mail Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, porse deri më tani nuk ka marrë një përgjigje. /A.Shala/