Ish-mësimdhënësi i presidentes së Kosovës, Mehmet Kajtazi, ka folur për Kosovapress rreth kujtimeve të tij nga koha kur Vjosa Osmani ishte nxënëse, duke e përshkruar atë si një fëmijë shembullor, të drejtë dhe shumë të përkushtuar ndaj mësimit.
Ai thotë se Osmani ka qenë gjithmonë e dalluar për sjelljen dhe karakterin e saj.
Kajtazi thekson se Osmani ka spikatur sidomos në lëndët shoqërore për shkak të aftësive të saj në komunikim.
“Mendoj që më e shkathët ka qenë në lëndët shoqërore, sepse ka pasur një oratori shumë të theksuar, të mirë dhe të pasur, por edhe në lëndë të tjera si matematika, biologjia e fizika. Gjeografinë e ka dashur, sepse gjeografia është një lëndë që atëherë fillonte prej klasës së pestë, ndërsa tash prej klasës së gjashtë. Është tërheqëse për nxënësit, mirëpo tash ka mundësi më të mira për ta mësuar gjeografinë dhe lëndët e tjera. Por Vjosa Osmani ka qenë e tillë gjithmonë”- deklaroi ai“Ka mësuar shumë dhe, me plot përgjegjësi e them, është dashur të jesh mjaft i përgatitur për të punuar me ta si klasë. Paraprakisht kishin pasur një mësuese që kishte nxjerrë gjenerata të mira. Sa herë që kemi marrë pjesë në gara, Vjosa Osmani ka qenë ndër nxënëset që e kemi përzgjedhur, jo vetëm në gjeografi, por edhe në lëndë të tjera, ku ka arritur rezultate të larta. Madje, nga ajo kohë kemi edhe disa incizime të garave, dhe ajo ka qenë vazhdimisht e suksesshme”- tha ai
Ai kujton edhe sukseset jashtë orëve mësimore, përfshirë një dramë që kishte fituar vendin e parë në nivel të Kosovës.
“Nuk po di, unë me politikë fort nuk merrem, por mendoj që në arenën ndërkombëtare na ka prezantuar shumë mirë, e këto përplasjet në politikë të brendshme nuk më pëlqejnë përgjithësisht, veçanërisht bullizimi që iu bëhet familjarëve të tyre. P.sh., e bullizojnë prindin e Vjosës, jo gjoja ka qenë polic, kurse unë e kam mirënjohjen që ia ka bërë shkolla për kontributin që e ka dhënë në vitet e ’90-ta. Raif Osmani ka qenë njëri ndër kontribuuesit bashkë me dhjetë të tjerë që kanë marrë mirënjohje tash për pavarësi, që na kanë ndihmuar me mbajtur mësimin gjallë në shkollën “Ismail Qemali”, atëherë është thirrur “Vëllezërit Mihaloviq”, me iniciativë të tyre ne e kemi ndërruar edhe emrin. Edhe atëherë kemi qenë diku rreth 900 nxënës, na kanë larguar prej objektit, 56 kanë qenë serbë dhe ata e uzurpuan objektin. Me iniciativën e këshillit të prindërve të atëhershëm ne jemi kthyer prapë, në mesin e tyre ka qenë edhe prindi i saj. Të gjithë fëmijët që i ka pasur, Elonën, Vjosën e dytë, Flakrinën, Blinerën dhe Ramadanin, kanë qenë të mirë, kjo shkollë ka dhënë gjithmonë profesorë, doktorë, kanë dalë prej kësaj shkolle, në mesin e tyre edhe Vjosa. Vjosën nuk po mund ta vlerësoj politikisht, se nuk merrem shumë me politikë, mirëpo prezantimin në arenën ndërkombëtare, veçanërisht miqësinë me Amerikën, mendoj që e ka bërë më mirë, edhe prezantimin në Kombet e Bashkuara”- ka thënë ai
“Është një krenari e veçantë, po të them drejt, Vjosën, i kemi edhe disa të tjerë, por sigurisht që ndihem krenar, sepse e tillë ka qenë Vjosa si fëmijë, ka arritur që atëherë, prindin e ka pasur pa punë, e kanë larguar prej pune, bile ka qenë edhe i burgosur në vitet ’90, ’92 dhe ’93, edhe ka mbijetuar me i shkolluar fëmijët, edhe kjo ka arritur pastaj, e njeh gjuhën angleze shumë mirë, si fëmijë atëherë e ka mësuar edhe ka arritur. Tash duhet të jemi mirënjohës dhe të mburremi me punën e saj tash që e reflekton”- theksoi ai
Ish-mësimdhënësi i Vjosa Osmani ka përfunduar duke thënë se beson se ajo e meriton një mandat tjetër si presidente.
Ish-mësimdhënësi i saj, Mehmet Kajtazi, e përshkruan Osmani si një fëmijë shembullor, të drejtë dhe të përkushtuar, që gjithmonë ka spikatur si në lëndët akademike, ashtu edhe në aktivitete jashtëshkollore. Ai thekson se përkushtimi dhe drejtësia e saj e bëjnë të merituar një mandat tjetër presidencial, duke vënë në pah gjithashtu ndikimin e saj pozitiv në shoqëri dhe prezantimin e vendit në arenën ndërkombëtare.