Presidenti rus Vladimir Putin planifikon të udhëtojë jashtë vendit të tij javën e ardhshme, pavarësisht urdhër-arrestit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC) për krime lufte në Ukrainë, duke bërë që Kievi t'i bëjë thirrje Mongolisë të përmbushë detyrimet e saja ndërkombëtare dhe ta arrestojë atë.
Putin është planifikuar të vizitojë Mongolinë të martën dhe vendi njeh juridiksionin e ICC-së dhe për këtë arsye është i detyruar të respektojë urdhrin e arrestit të gjykatës ndërkombëtare të marsit 2023, por zëdhënësi i Putin, Dmitry Peskov nuk po merr parasysh kërcënimin e arrestimit.Kjo është vizita e parë e Putin në një shtet anëtar të ICC qe nga fillimi i pushtimit të Ukrainës në shkurt 2022.
Duke qenë se Mongolia është ekonomikisht e varur nga Rusia, konsiderohet e pamundur që vendi të rrezikojë këto marrëdhënie duke arrestuar Putin.
ICC thotë se Putin është përgjegjës për rrëmbimin dhe dëbimin e fëmijëve dhe të miturve nga territoret e okupuara të Ukrainës në Rusi. Moska e refuzon këtë dhe përgjigjet se bëhet fjalë për evakuime.