Princi iranian i kurorës, Reza Pahlavi, I cili ndodhet në egzil, u qëllua me një lëng të kuq gjatë një vizite në kryeqytetin gjerman, Berlin të enjten.
Policia njoftoi se një burrë u ndalua pas incidentit, që ndodhi pasi Pahlavi ishte paraqitur në ambientet e konferencave për shtyp të qeverisë federale, njofton dpa, përcjellë KosovaPress.
I njëjti nuk raportohet se ishte i njohur për policinë.
Djali i shahut të fundit të Iranit, i cili jeton në SHBA, e ka pozicionuar veten si një udhëheqës i mundshëm tranzitor në Iran, pas luftës së këtij shteti me Amerikën dhe Izraelin, megjithëse roli i tij mbetet i diskutueshëm edhe brenda qarqeve opozitare. Grupet monarkiste e mbështesin, ndërsa të tjerët kundërshtojnë çdo rikthim të monarkisë apo udhëheqje nga anëtarë të familjes së mëparshme sunduese.
Dpa raporton se niveli i mbështetjes së tij brenda Iranit mbetet i paqartë, pjesërisht për shkak të kufizimeve të komunikimit të vendosura nga autoritetet pas përshkallëzimit të tensioneve me Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara më herët këtë vit.
Ngjarja e pakëndshme për Pahlavin ndodhi në mesditës, kur rreth 1,000 mbështetës u mblodhën jashtë ndërtesës së Rajshtagut në Berlin, ku ndodhet dhoma e ulët e parlamentit, duke kërkuar ndryshim regjimi në Iran. Shumë prej tyre valëvitën flamurin perandorak iranian, i përdorur deri në rrëzimin e shahut të fundit, babait të Pahlavit, nga Revolucioni Islamik i vitit 1979.