Protesta kundër investimit të planifikuar në Zvërnec të Vlorës ka hyrë sot në ditën e tetëmbëdhjetë.
Në kryeqytet, qytetarë dhe aktivistë nga shoqëria civile vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, kreut të opozitës, Sali Berisha, ndërsa kanë parashtruar dhe katër kërkesa të tjera. Ata po ashtu shprehen kundër shitjes së pasurive kombëtare.
Pas grumbullimit në sheshin “Skënderbej”, protestuesit marshuan përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për t’u mbledhur përpara Kryeministrisë.
Me thirrjet “Revolucion”, “Dorëheqje” dhe “Shqipëri e re” dhe me pankarta në duar, protestuesit u vendosën para godinës së Kryeministrisë, ku artikuluan edhe një herë tjetër kërkesat e tyre.Një nga risitë e protestës sot ishte mbajtja e fjalimeve nga të moshuarit.
“Në familjen e gjithsecilit prej nesh nuk ka një gjysh që mund të jetojë me dinjitet vetëm me pensionin e tij, është i varur nga fëmijët e tij në mërgim. Sot ka qenë një thirrje shumë e bukur nga të rinjtë: merr gjyshin në protestë. Nëse gjyshi nuk vjen dot, protesto për gjyshin!”, tha një tjetër protestuese.
Ashtu si në protestat e mëparshme, edhe këtë mbrëmje pritet që pas qëndrimit për disa orë para Kryeministrisë, protestuesit të zhvillojnë një marshim nëpër rrugët kryesore të kryeqytetit, duke përcjellë mesazhet dhe kërkesat e tyre.