Prokuroria kërkon paraburgim për tre të dyshuarit në vrasjen e të riut në Kobaj
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Prokuroria kërkon paraburgim për tre të dyshuarit në vrasjen e të riut në Kobaj
Prokuroria Themelore Prizren
15/06/2026 - 14:33
Linku u kopjua

Prokuroria Themelore në Prizren kërkon caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj tre të dyshuarve lidhur me vrasjen e një të riu që ndodhi dje në fshatin Kobaj të Prizrenit.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, ndaj të dyshuarit Sh. O., i cili ndodhet në ndalim 48-orësh, është kërkuar paraburgimi nën dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”. E njëjta masë është kërkuar edhe ndaj një të mituri, i cili ndodhet në ndalim 24-orësh, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” në bashkëkryerje.

Po ashtu, Prokuroria ka kërkuar paraburgim edhe për të dyshuarën A. O., e cila ndodhet në ndalim 48-orësh, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Shtytje në vrasje të rëndë”, sipas nenit 173 paragrafi 1 nënparagrafi 1.5 lidhur me nenin 32 të KPRK-së.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, Sh. O. dhe i mituri, më 14 qershor 2026, në fshatin Kobaj, në bashkëkryerje dhe me dashje kanë privuar nga jeta viktimën A. O. dhe kanë vënë në rrezik jetën e të dëmtuarit I. O., të nxitur, sipas dyshimeve, nga A. O., e cila është nëna e të pandehurve.

Hetimet paraprake tregojnë se pas një konflikti të mëhershëm të shkaktuar nga mosmarrëveshjet për emërtimin e një rruge në lagjen ku jetonin, palët fillimisht janë përfshirë në një përplasje verbale, e më pas fizike. Gjatë incidentit janë përdorur mjete të mprehta – thika – me të cilat janë sulmuar viktimat.

Si pasojë e plagëve të marra në pjesën e gjoksit, A. O. ka humbur jetën, ndërsa I. O. ka pësuar lëndime të rënda trupore, të rrezikshme për jetën, dhe është dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Prizrenit.

Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur se mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe sjelljen para drejtësisë të personave që bien ndesh me ligjin.

Dje, si pasojë e plagëve të marra nga një mjet i mprehtë mes përleshjes që ka ndodhur mes dy familjeve në fshatin Kobaj të Prizrenit, ka humbur jetën i riu 27-vjeçar, Albian Osmanaj. Përveç tij, edhe babai i viktimës, rreth 57 vjeçar ka pësuar lëndime.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026