Në Gjykata Themelore në Prishtinë, gjatë shqyrtimit gjyqësor për rastin e sulmit terrorist në Banjskë e Zveçanit që ndodhi në shtator të vitit 2023, ndaj tre të akuzuarve Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, Prokuroria Speciale dhe mbrojtja e palëve të dëmtuara kërkuan që ata të shpallen fajtorë dhe të dënohen me burgim të përjetshëm, raporton KosovaPress.
Në seancën e sotme edhe sot nuk munguan tre të akuzuarit të cilët me pranga në duar e me siguri të lartë u sollën në gjykatore për t’i dëgjuar fjalët përfundimtare nga Prokuroria Speciale dhe avokatët e të dëmtuarve.
Ai tha se përgatitjet kishin nisur qysh nga takimi në Rashkë të Serbisë në të cilin ishte kërkuar armatosje, mobilizim kundër institucioneve të Kosovës.
“Këtu nuk kemi të bëjmë me një rast të një incidenti të izoluar, por kemi të bëjmë me një organizim të mirëfilltë kriminal, me qëllim terrorist dhe me synim të cenimit të rendit kushtetues të sigurisë së Republikës së Kosovës. Fillimet e këtij organizimi nuk datojnë realisht nga data 24 shtator 2023. Ato dokumentohen qartë që nga takimi i datës 13 tetor 2021 në qytetin e Rashkës në Republikën e Serbisë, ku është kërkuar armatosje, mobilizim dhe përgatitje për rezistencë të armatosur kundër institucioneve të Republikës së Kosovë. Deklaratat e dhëna në atë takim kanë përfshirë thirrje për mbështetje shtetërore dhe veprim të armatosur. Kanë zbuluar elementet thelbësore të kësaj çështjeje, në paramendimin dhe synimin për përdorimin e dhunës si mjet për realizimin e objektivave politike. Ky qëllim nuk mbetet në nivel deklarativ, por materializohet në praktikë”, tha ai.“Vetë natyra e këtyre mjeteve dëshmon një gadishmëri për konfrontim të armatosur dhe dhunës si instrument veprimi, objektiv i sulmit ka qenë saktësisht policia e Kosovës si organi kushtetues i zbatimit të ligjit dhe renit publik çka e bënë këtë veprim cenim të drejtpërdrejtë të strukturës shtetërore dhe rendit juridik. Nga provat rezulton se pjesëtarët e grupit kanë ushtruar kontroll funksional mbi realizimin veprimeve duke vepruar si bashkëkryues në role të ndara...17’56Pretendimet për mungesë dijeni janë të pabazuara dhe bien ndesh me faktet objektive armatimi i rëndë uniformat taktike, komunikimi i koduar dhe pozicionimi i organizuar e përjashtojnë çdo mundësi të veprimit të pavetëdijshëm nga tërësia e këtyre rrethanave rezulton qartë se të pandehurit kanë vepruar me dashje të drejtpërdrejtë duke pranuar rrezikun dhe duke synuar realizimin e një operacionit të armatosur kundër rendit kushtetues të Kosovës ”, tha ai.
Prokurori Abazi në fjalën e tij përfundimtare tregoi se me sulmi ishte kryer me armatim të rëndë dhe pasojat e tij ishin tragjike ku mbeti i vrarë edhe rreshteri policor, Afrim Bunjaku e u plagosën zyrtarë të tjerë policor.
“Çdo dënim më i ulët do të ishte dispozicion i qartë me gravitetin dhe pasojat dhe rrezikshmërinë e veprimit dhe nuk do të përmbushte as funksionin ndëshkues e as parandalues të sanksionit penal. Në bazë të të gjitha provave të administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe në bazë të analizës së plotë juridike të elementeve objektive dhe subjektive të veprës penale, si dhe në bazë të përgjegjësisë individuale të secilit prej të pandehurve, në kuadër të bashkimit, Prokuroria Speciale i propozon gjykatës që të shpallë fajtorë Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq për vepra penale për të cilat akuzohen dhe ndaj secilit prej tyre të shqiptojë dënimin maksimal të paraparë me ligj, jo më pak se burgimi i përjetshëm”, tha ai.
Mbrojtësi i familjes Bunjaku, Arianit Koci deklaroi se rreshteri Afrim Bunjaku dhe familja e tij po vazhdojnë të vriten pasi askush nuk është distancuar nga krimi.
Ai tha se qëllimi i këtij sulmi terrorist ishte shkëputja e një pjese të Kosovës.
Burgim të përjetshëm për të akuzuarit kërkoi edhe Besiana Ismajli, avokatja e zyrtarit policor, Çlirim Shaqiri e cila tha se klienti i saj në sulmin terrorist në Banjskë mori lëndime trupore e psikike dhe si pasojë ende nuk është kthyer në punë.
“Është dëshmuar mjaftueshëm se kanë qenë pjesë aktive e grupit terrorist, e i cili grup nuk është formuar rastësisht. Çlirim Shaqiri, nga ky sulm terrorist, nga këta të pandehur dhe shokët e tyre, u lëndua si nga aspekti fizik dhe psikik ku i njëjti akoma nuk ka rifilluar punën dhe nuk është rehabilituar. Ne tani nga gjykata kërkojmë që tre të akuzuarit t'i shpallë fajtorë, t'i marrë për bazë të gjitha rrethanat rënduese, si shkallën e lartë të dashjes, kryerjen e veprës penale në mënyrë mizore, ashtu që të akuzuarit t’i dënojë me burgim të përjetshëm, si dhe t'i detyrojë që të dëmtuarin, Çlirim Shaqirin, ta kompenzojnë për shërimin dhe rehabilitimin e dëmit që i ka marrë nga veprimet e tyre kriminale”, theksoi avokatja Ismajli.
“Alban Rashiti nga ky sulm terrorist, nga këta të pandehur dhe shokët e tyre, pësoi plagë të rënda trupore, plagë në këmbë, plagë tjetër në dorë si dhe në gjoks, afër zemrës, e po ashtu plagë të shumta psikike, ku akoma nuk ka rifilluar punën dhe akoma nuk është shëruar e rehabilituar nga veprimet e tyre kriminale.... 01’23’05Pra, në këtë rast kërkojmë nga gjykata që të njëjtit t'i shpallë fajtorë, t'i dënojë me burgim të përjetshëm dhe në këtë rast duke e detyruar secilin nga të akuzuarit, secilin veç e veç, në mënyrë solidare që Alban Rashitin ta kompenzojnë në shumën prej 1.5 milion euro për shërimin dhe rehabilitimin e plagëve të fituara nga veprimet e tyre kriminale”, tha ai.
Në seancën e radhës më 20 prill do të dëgjohen fjalët përfundimtare të mbrojtjes së të akuzuarve Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq për sulmin terrorist në Banjskë së Zveçanit./B.Ibishi/