Aktakuzë ndaj gjashtë personave për shitblerje të narkotikëve dhe armëmbajtje pa leje
Lajme
Lexohet për: 4 min.
Dëgjoje me zë...
Aktakuzë ndaj gjashtë personave për shitblerje të narkotikëve dhe armëmbajtje pa leje
Prokuroriaa
Foto Arkiv
13/07/2026 - 15:36
Linku u kopjua

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave: S.K., A.K., F.F., L.A., A.F., dhe D.G., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, ndërsa ndaj A.K., edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri S.K., më 29 janar 2026, në Suharekë, pa autorizim dhe me qëllim të shitjes dhe shpërndarjes, ka poseduar substancë narkotike të llojit marihuanë. Gjatë kontrollit janë sekuestruar 30 qese me marihuanë dhe mbetje të kësaj substance, të cilat sipas ekspertizës forenzike rezultuan të përmbajnë kanabis (THC), me peshë neto të përgjithshme prej rreth 26.60 gram. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” sipas KPRK-së.

“I pandehuri A.K., nga shtatori 2025 deri më 29 janar 2026, në Suharekë, pa autorizim ka shpërndarë dhe ofruar për shitje substanca narkotike të llojit kokainë. Gjatë kontrolleve janë sekuestruar rreth 465 gramë marihuanë dhe rreth 3.3 gramë kokainë, si dhe një substancë e lëngët e dyshuar narkotike, peshore digjitale, grinder dhe para në shumë prej 2,200 euro. Sipas ekspertizës së Agjencisë Kosovare për Forenzikë, mostrat e sekuestruara rezultuan të përmbajnë kanabis dhe kokainë. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” të KPRK-së”, thuhet nw njoftim.

Po ashtu, i njëjti në lokalin e tij në Suharekë, ka mbajtur pa autorizim një pistoletë të tipit M57, një karikator dhe katër fishekë të kalibrit 7.62 mm, në kundërshtim me Ligjin për Armët. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” KPRK-së.

Ndërkohë, i pandehuri F.F., nga shtatori 2025 deri më 29 janar 2026, në Suharekë, pa autorizim ka shpërndarë dhe ofruar për shitje substanca narkotike të llojit kokainë.

“Gjatë kontrollit janë sekuestruar një peshore digjitale dhe dy automjete, të cilat sipas aktakuzës janë përdorur për kryerjen e veprës penale. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” të KPRK-së”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, të pandehurit L.A., A.F., dhe D.G., duke vepruar në bashkëkryerje, në vazhdimësi, nga shtatori deri në nëntor 2025, kanë shpërndarë dhe ofruar për shitje substancë narkotike të llojit kokainë në lokacione të ndryshme në Suharekë dhe më gjerë. Sipas aktakuzës, gjatë një rasti është siguruar një sasi prej mbi 300 gr. kokainë, e cila më pas është hedhur gjatë largimit me automjet nga vendi i ngjarjes dhe është sekuestruar. Me këto veprime, të njëjtit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” të KPRK-së.

Lidhur me rastin, prokurori i çështjes ka propozuar konfiskimin e rreth 740 gram të substancave narkotike, përfshirë mbi 400 gram marihuanë dhe mbi 330 gram kokainë, të sekuestruara nga të pandehurit. Gjithashtu është kërkuar konfiskimi i një pistolete M57, një karikatori dhe katër fishekëve, si dhe tre automjeteve që janë përdorur për kryerjen e veprave penale. Po ashtu, është propozuar konfiskimi i 2,200 eurove dhe 500 frangave zvicerane, si dobi pasurore e përfituar nga veprat penale.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit dhe vlerësimit të provave, të pandehurit e lartcekur, për veprat penale për të cilat akuzohen, të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026