Nga sot kanë hyrë në fuqi çmimet e reja të biletave të transportit publik. Ndryshimet përfshijnë shtrenjtimin e biletave njëdrejtimëshe, ditore, javore, mujore, biletën për linjën e Aeroportit, si dhe biletat vjetore dhe korporative digjitale.
Me hyrjen në fuqi të çmimeve të reja të biletave të transportit publik në Prishtinë, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se ndryshimet janë pjesë e procesit të digjitalizimit të sistemit të pagesave dhe modernizimit të transportit urban.
“Ne faktikisht po i shtyjmë proceset për digjitalizimin e biletave. Pra, digjitalizimi i proceseve, pra jo me pagu me me kesh (cash), po me i ble biletat ditore, javore, mujore në bazë të proceseve, pra të kartave digjitale. Edhe aty i kemi mbajtur këto biletat pra të ulëta. Mirëpo, e kemi një çmim më të ngritur nëse e blini me kesh në vend sot. Pra, të gjithë qytetarët që i marrin, pa parë se e marrin këtë kuletën digjitale, biletën e kanë, po them, pothuajse të njëjtë ose shumë më lirë sesa nëse e paguajnë kesh”, tha Rama.
Sipas Ramës, ndryshimet lidhen edhe me modernizimin e autobusëve, të cilët do të pajisen me sisteme elektronike të pagesës.Ndërkohë, për faktin se edhe biletat digjitale janë shtrenjtuar me 10 centë, Rama u shpreh se kjo rritje është minimale dhe lidhet me rritjen e kostove të operimit.
“Po, ajo po them është ngritje minimale për arsye të kostove të naftës, të cilat janë të ngritura si rezultat i gjeopolitikës globale, edhe ajo duhet me me u përmbushë. Mirëpo, është në paralel me të. Atë e rishikojmë prapë në të ardhmen, po ideja është që të digjitalizohet procesi”, përfundoi Rama.