Ministrja serbe për Administratë Shtetërore dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviq, ka thelluar edhe më tej skandalin e shkaktuar nga deklaratat e saj për Kosovën, duke mos kërkuar falje, por duke e rikonfirmuar publikisht qëndrimin se do të kryente “spastrimin etnik” të Kosovës. Derisa foli për Euronews Serbia, ajo deklaroi se edhe sot do ta “spastronte etnikisht Kosovën nga terroristët”, duke këmbëngulur se deklarata e saj ishte nxjerrë jashtë kontekstit dhe se kishte pasur parasysh vetëm ushtarët e UÇK-së.
Ndonëse deklarata e saj fashiste nxiti reagime të shumta në Kosovë, rajon e BE, Paunoviq tha se nuk sheh asgjë të diskutueshme në qëndrimin e saj, duke pretenduar se i ishte referuar “terroristëve”.
“Kush guxon ta bëjë këtë? Kush është ai në Evropë që guxon të merret me këtë çështje në këtë mënyrë, ose edhe më keq, të mos merret fare me këtë, por të merret me një ministre që ka thënë: ‘Ah, në vitin 1998 do ta kisha spastruar etnikisht Kosovën…’. Ndërkohë tani është viti 2026. Do ta kisha spastruar etnikisht Kosovën nga terroristët! Po, do ta kisha bërë – jo vetëm Kosovën, por do ta pastroja tërë botën nga terroristët për hir të viktimave të pafajshme, gjithmonë! Çfarë ka këtu të diskutueshme?”, deklaroi ajo të premten.
Një nga kritikat më të ashpra ishte drejtuar komisioneres evropiane për Zgjerim, Marta Kos, e cila më herët kishte vlerësuar se deklaratat e ministres janë të papranueshme për një anëtare të Qeverisë së Serbisë.
Ajo e akuzoi Kos për qasje selektive, duke pretenduar se nuk ka reaguar asnjëherë për pozitën e serbëve në Kosovë apo për, sic pretendoi ajo, sulmet ndaj komunitetit serb.
“Nëse ky është qëndrimi personal i zonjës Marta Kos, është legjitim. Unë nuk do ta shpreh mendimin tim personal për të, duke respektuar institucionet, por një gjë është e sigurt: për një bashkëjetesë cilësore në Evropë, jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, unë kam luftuar shumë më gjatë dhe shumë më intensivisht sesa zonja Marta Kos. Nuk mendoj se jam më e madhe se ajo, por se kam qenë dikush që e ka kuptuar se, pavarësisht të gjitha plagëve, duhet ecur përpara. Kjo ishte ajo që jam përpjekur të bëj”, pretendoi Paunoviq.
“A kam pasur sukses? Nëse flasim për territorin nga i cili jam dëbuar, jo. Përkundrazi, jemi kthyer prapa. Ai spastrim etnik që, u bë ndaj serbëve në vitin 1999, e më pas u thellua në vitin 2004, vazhdon ende edhe sot. Edhe kjo fushatë kundër meje është në një masë të madhe përpjekje për të ushtruar presion shtesë”, pretendoi Paunoviq.
Kujtojmë se, Paunoviq, për deklaratat skandaloze për spastrim etnik të Kosovës i ka kërkuar falje presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, por jo shqiptarëve.